Lidhje

Universiteti i Evropës Juglindore i jep titullin "Doktor Nderi" zotit Ferid Murad


Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë i dha sot titullin doktor nderi zotit Ferid Murad, fitues i çmimit nobel. Emri i profesorit Murad, i cili ka origjinë shqiptare, përmendet në më shumë se 1 mijë publikime shkencore. Zoti Ferid Murad e pranoi këtë titull me emocione; babai i tij ishte rritur vetëm pak kilometra larg universitetit të Evropës Juglindore, para se të imigronte në Amerikë.

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë ishte sot përplot me mysafirë e personalitete publike që kishin ardhur për ta parë dhe nderuar fituesin e çmimit Nobel me origjinë shqiptare.

Rektori Alajdin Abazi dhe profesori Murtezan Ismaili folën për veprën e profesorit Ferid Murad. Profesori Alajdin Abazi:

“Ai flet për origjinën e tij shqiptare kudo që shkel nëpër botë. Ferid Murati e Nëna Tereze janë dy fytyra madhështore të kombit shqiptar; pjellë e kodit tonë nacional që i shërbyen dhe i shërbejnë njerëzimit dhe humanizmit”.

Prof. Murtezan Ismaili:

“Me punën e palodhshme, Dr. Feridi arriti rezultate të pakontestueshme në fushën e mjekësisë, farmacisë, fiziologjisë, biologjisë dhe të kimisë. Me origjinalitetin e vet, ai kontribuoi jo vetëm në përparimin dhe zhvillimin e të menduarit shkencor, por edhe në aplikimin e rezultateve shkencore, duke punuar me shumë përkushtim në edukimin e kuadrove të reja në të mirë të mbarë njerëzimit”.

Profesorit Murad i është dhënë titulli doktor nderi nga shumë universitete dhe institucione prestigjoze arsimore shkencore ndërkombëtare. Ferid Murat është lindur në vitin 1936 në Ëiting të Indianës në SHBA. Origjina e tij është nga rrethi i Gostivarit, prej nga babai i tij kish emigruar nga fillimi i vitit 1900 në SHBA.

Profesori Murad Punon në Departamentin për Biologji dhe Farmakologji në Univeristetin e Teksasit. Zoti Murad tha se para shtatë vjetësh, kur kish qenë për herë të parë në Tetovë, atëherë diskutohej shumë për universitetin e ri. Tash, tha profesori Murad, koncepti i universitetit është i shkëlqyeshëm; të integrohen studentët dhe të mësojnë në disa gjuhë është me shumë rëndësi, tha ai.

Zoti Murad shpalosi kujtime gjatë një debati polemizues midis shqiptarësh e maqedonasish para disa vitesh në Tetovë. Profesori Murad tha se i kishte pyetur nëse dinin për projektin e gjinomit njerëzor. U kish treguar se projekti i gjinomit njerëzor ka dëshmuar se të gjithë rrjedhin nga një nënë e një baba. Jo vetëm shqiptarët e maqedonasit por të gjithë njerëzit e botës kanë burimin te një nënë e një baba, tha zoti Murad, duke theksuar se është koha për paqe dhe besim të ndërsjellë. Ai beson se kjo do të ndodhë, kur sheh studentë të përkatësive të ndryshme duke bashkëpunuar.//lk

XS
SM
MD
LG