Lidhje

Ekipi amerikan shkon me shpresa të mëdha në kampionatin botëror të futbollit


Në Gjermani u hapën të premten Finalet e botërorit 2006, ku për titullin konkurrojnë 32 ekipe nga e gjithë bota. Midis tyre është edhe ekipi amerikan i cili pret t’i vijë radha për ndeshjen e tij të parë. Ekipi kombëtar amerikan ka përfunduar stërvitjen dhe ndeshjet miqësore.

"Ne jemi të përgatitur për të fituar ndeshjet. Ky është mentaliteti ynë dhe jo të gjuajmë topin sa më larg se ndoshta përfundon në rrjetë."

Mesfushori 24-vjeçar Landon Donovan, thotë se ekipi i këtij viti është më i miri që kanë patur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara në futboll.

"Ne do të jemi në formë dhe të gatshëm për të luajtur. Është dita jonë për të luajtur. "

Donovan ishte golshënuesi më i mirë gjatë eliminatoreve të këtij botërori. Ai është gjithashtu sulmuesi më i njohur në historinë e futbollit amerikan.

"Më parë ne mendonim thjesht për të marrë ndonjë pikë apo dy, për shembull për t’i shkëputur kundërshtarit ndonjë rezultat 1 me zero. Kurse tani ne jemi në gjendje të mundim ekipet e tjerë dhe bile me rezultat dinjitoz."

Kuptohet, botërori nuk është i lehtë, por ekipi i këtij viti ka atë përvojë që nuk e kishte kur humbi me Gjermaninë në çerekfinalet e vitit 2002. Sot, 11 nga ata lojtarë janë përsëri në fushë.

Gjatë kësaj kohe, skuadra ka fituar popullaritet brenda vendit dhe respekt jashtë tij. Ajo renditet e pesta në botë.

Portjeri veteran Kasey Keller ka luajtur një rol kryesor në suksesin e amerikanëve. Ai është futbollisti i vitit në Shtetet e Bashkuara dhe ka marrë pjesë në 31 ndeshje.

"Ne jemi të mirë si shtat, të mirë si shpejtësi, lojtarët e përdorin mirë topin. Prandaj mendoj se do të jemi në gjendje t’i përballojmë më së miri ekipet me të cilët do të ndeshemi."

Në ndeshjet miqësore të këtij viti, Shtetet e Bashkuara morën 6 fitore, 2 humbje dhe 2 barazime, shënuan 18 herë dhe pësuan 8 gola.

Bruce Arena është traineri i ekipit dhe është hera e dytë që ai stërvit një ekip amerikan për botërorin e futbollit.

"Ne e kemi të qartë në mendjet tona se çfarë duhet për të dalë mirë në një botëtor, pra çfarë lojtarësh dhe cilësish duhen. Ne e kuptojmë shpejtësinë e lojës në një kampionat si ky krahasuar me kampionatet e klubeve si dhe cilësitë që duhet të kenë lojtarët për të dalë me sukses në fushë.”

Këto cilësi, thotë trajneri, nuk i gjen nëpër libra. Por me shtimin e përvojës, ekipi amerikan do të ketë më tepër thellësi dhe zhdërvjelltësi në taktikat e tij.

XS
SM
MD
LG