Lidhje

Presidenti Bush optimist për të ardhmen në Irak


Presidenti Bush tha se formimi i qeverisë së re në Irak dhe vdekja e ish udhëheqësit terrorist Abu Musab al-Zarkavi e bënë javën e kaluar një javë të mirë për kauzën e lirisë. Demokratët e opozitës thonë se presidenti duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të siguruar se 2006 është një vit i përparimit të rëndësishëm në Irak.

Presidenti Bush tha se vrasja e Zarkavit është një fitore e rëndësishme në luftën kundër terrorizmit. “Qëllimet e tij në Irak ishin të qarta: ai donte të ndalonte vendosjen e demokracisë, të detyronte tërheqjen e forcave të koalicionit, të nxiste luftën civile dhe ta kthente Irakun në një strehë të sigurt, nga ku al-Kaida mund të ndërmerrte sulme të reja kundër Amerikës dhe vendeve të tjerë të lira. Përkundrazi, Zarkavi vdiq në Irakun e lirë e demokratik, krijimin e të cilit ai u përpoq aq shumë ta pengonte, madje bota është në gjendje më të mirë sepse ky njeri i dhunshëm nuk do të mund të vrasë përsëri.”

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se dhuna mund të shkallëzohet gjatë javëve të ardhshme, ndërsa terroristët përpiqen të provojnë se mund t’i vazhdojnë operacionet e tyre edhe pa Zarkavin. Ai i bëri përsëri thirrje popullit amerikan për më shumë durim, ndërsa në të ardhmen do të kërkohen më shumë sakrifica. Anketat e opinionit publik të kryera para vrasjes së Zarkavit tregonin se vetëm një e treta e amerikanëve e mbështesin mënyrën se si presidenti po e trajton gjendjen në Irak. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë presin që këto shifra të ngrihen si rezultat i vrasjes së Zarkavit, por pranojnë gjithashtu se ato nuk do ta kenë të gjatë në se nuk bëhet përparim i ndjeshëm në Irak. Prandaj, gjatë javës së ardhshme presidenti do të takohet me këshilltarët e sigurimit kombëtar në vend-pushimin presidencial Kemp Dejvid për bisedime se si ata mund ta ndihmojnë më së miri qeverinë e re irakiane.

Kryeministri Nuri al-Maliki dhe anëtarët e kabinetit të tij të ri do të marrin pjesë në këto bisedime nëpërmjet një lidhjeje me video. Presidenti Bush tha se është inkurajuar nga vendosmëria e kryeministrit al-Maliki për të mposhtur armiqtë e përbashkët dhe për të vendosur sigurinë dhe rendin për të gjithë irakianët. “Së bashku, ne do të përcaktojmë se si të përdorim më së miri burimet e Amerikës në Irak dhe si të përmbushim pjesën tonë të objektivit për krijimin e një Iraku, që të mund të vetë-qeveriset, të mbijetojë dhe të vetë-mbrohet.”

Ndërsa në fjalimin e përjavshëm në emër të demokratëve, udhëheqësi i pakicës në senatin amerikan, Harry Reid tha se administrata e presidentit Bush duhet të shfrytëzojë rastin për ndryshime të vërteta në Irak: “Trupat tona dhe populli amerikan kanë qënë tepër të duruar, ndërkohë që arritje të mëparshme në Irak kanë kaluar pa ndonjë përparim në Irak. Në se presidenti pret që të vazhdojmë të jemi të duruar, ai do të kërkonte shumë prej nesh.”

Pas vrasjes së Zarkavit dhe krijimit të kabinetit të zotit al-Maliki, senatori Reid tha se amerikanët kanë nevojë për më shumë se disa deklarata të rëndomta nga bisedimet e ardhshme midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre irakianë. Ai tha se presidenti Bush duhet të paraqesë një plan konkret për irakianët që të vihen në krye të masave të sigurisë në mënyrë që më shumë trupa amerikane të mund të kthehen në atdhe.

XS
SM
MD
LG