Lidhje

Pas Zarkavit - Zhvillimet e ardhëshme në Irak


Pas vrasjes këtë javë të Abu Musab al-Zarqawit, trupat amerikane dhe ato irakiane ndërmorën një numër bastisjesh kundër al-Qaidës, bazuar në informacionet e grumbulluara nga shtëpia ku ai ndodhej në kohën që u vra. Por Presidenti Bush tha dje se vdekja e Zarkavit nuk do të çojë në largimin e parakohshëm të trupave amerikane. Më poshtë le të shohim se çmendojnë analistët për zhvillimet e ardhëshme në Irak, tani që terroristi i shumëkërkuar nuk ekziston më.

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të kryeministrit danez, Presidenti Bush tha se një tërheqje e trupave të koalicionit mund të ndodhë vetëm kur qeveria irakiane të ketë fituar pozita më të qendrueshme: "Unë do të dëshiroja t’i tërhiqja trupat sa më shpejt që të ishte e mundur por kjo do të varet nga fitorja në Irak dhe fitore në Irak do të thotë një vend i cili mund të qendrojë vetë më këmbë, të qeveriset dhe të mbrohet vetë", tha presidenti.

Qysh përpara lajmit dramatik të vrasjes së Zarkavit, administrata e Presidentit Bush kishte planifikuar një rishikim të strategjive politike dhe ushtarake të qeverisë irakiane. Por midis këshilltarëve ushtarakë amerikanë dhe irakianë nuk ka dyshim se informacioni i çmuar i gjetur pas bombardimit të shtëpisë ku ndodhej Zarkavi, ka hedhur më tepër dritë mbi operacionet e al-Kaidës.

Anthony Cordesman, analist i çështjeve ushtarake dhe të zbulimit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se Zarkavi dhe grupi i tij nuk gëzonin simpati mes shumicës së irakianëve. Gjithashtu, shumë nga kryengritësit e huaj që ishin pjesë e lëvizjes së tij tashmë janë vrarë. Megjithatë, thotë ai, është tepër herët të parashikosh se kush do ta pasojë Zarkavin dhe ç’drejtim do të marrë tani al-Kaida: "Ajo gjithnjë ka qenë në gjendje të gjejë baza dhe udhëheqës të rinj. Por mendoj se të gjithë duhet ta kuptojnë se do të duhen të pakën disa javë dhe ndoshta muaj para se ne të kuptojmë plotësisht se sa është arritur përgjithësisht me këtë operacion."

Dr. Cordesman është mes atyre analistëve që thonë se ky është një moment kritik për kryeministrin irakian Nouri al-Maliki. Të enjten, zoti Maliki emëroi ministrat e rinj të mbrojtjes, të Brendshëm dhe të Sigurimit Kombëtar. Veç kësaj, kryeministri ka bërë thirrje për shpërndarjen e milicive radikale shiite, të cilat i kanë sabotuar përpjekjet e tij për përmirësimin e marrëdhënieve mes shiitëve dhe sunive.

Ka patur gjithashtu përpjekje nga ana e udhëheqësve amerikanë dhe irakianë për riorganizimin dhe ritrajnimin e policisë së Irakut. Po ashtu, udhëheqja irakiane ka filluar hetimet e saj lidhur me akuzat për abuzim ndaj civilëve nga ana e trupave amerikane.

Anthony Cordesman mendon se në kuptimin afatgjatë, kjo mund të ndihmojë për të vendosur një farë besimi me irakianëve dhe trupave të koalicionit në Irak: "Është jashtëzakonisht me rëndësi që irakianët të hetojnë atë që në shumicën e rasteve do të provohet se ka qenë përdorim legjitim i forcës, akuza që janë të rreme ose gjëra të marra jashtë kontekstit". Dr. Cordesman thotë se këto ndryshime do të kërkojnë një vit ose më tepër për t’u realizuar dhe se kryengritësit do të vazhdojnë të rigrupohen dhe të nxisin më tepër dhunë.

Ndërkohë, familja e Abu Musab al-Zarqavit ka thënë se dëshiron ta varrosë atë në vendlindjen e tij Jordani dhe ta nderojë si martir për çështjen e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG