Lidhje

Shqetësime për racizmin në Gjermani


"Koha Për Të Bërë Miq", kjo është motoja zyrtare e botërorit 2006, i cili filloi të premten. Dhe autoritetet gjermane kanë marrë masa që botërori të zhvillohet në një atmosferë miqësore. Ajo që i shqetëson zyrtarët janë ekstremistët e djathtë dhe organizatat raciste në vend. Një ish zëdhënës i qeverisë ka thënë madje se për tifozët me ngjyrë udhëtimi në disa qytete të vendit nuk do të jetë i sigurt. Sugjerime të tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet por disa njerëz në Gjermani mendojnë se dhuna racore është një problem real.

Rajoni Krojcberg i Berlinit, është strehë e komunitetit të madh turk. Aty jetojnë rreth 400 mijë imigrantë. Organizata Këshilli Turk thotë se sulmet e motivuara nga racizmi kundër komunitetit janë një problem shumë real. Mustafa Beshirli, pronar i këtij restoranti, thotë se grupet e ekstremit të djathtë janë shqetësuese: "Problem janë nazistët. Është një problem për Gjermaninë por edhe për të huajt në këtë vend", thotë zoti Beshirli.

Në muajin maj një anëtar me origjinë turke i Parlamentit Shtetëror të Berlinit u sulmua nga neo-nazistët dhe përfundoi në spital. Kohët e fundit një ish zëdhënës i qeverisë paralajmëroi se tifozët me ngjyrë të errët duhet të kenë kujdes në se vizitojnë qytetet e Brandenburgut, rajon përreth Berlinit ku ka ekstremistë të krahut të djathtë.

Statistikat tregojnë se që nga viti i kaluar ka patur një rritje prej 25 përqind të dhunës nga grupet e ekstremit të djathtë me afro një mijë incidente. Moctar Kamara i Këshillit Afrikan thotë se sportëdashësit e ardhur duhet të jenë realistë rreth mikëpritjes që do të gjejnë në Gjermani: "Jo të gjithë gjermanët janë racistë, kjo është e qartë. Njerëzit janë miqësorë, por ekziston një pakicë, që është e rrezikshme dhe duhet patur kujdes. Kemi një rajon në Gjermani ku ne të huajt sulmohemi përditë dhe kjo nuk është gjë e mirë".

Ka shqetësime se në fushë, skuadra si ajo e Togos do të priten jo aq miqësisht. Admiruesit gjermanë njihen për brohoritjet e tyre raciste kundër lojtarëve jo-gjermanë të ekipeve të tyre si dhe të skuadrave të tjera evropiane ku mbizotërojnë të bardhët. Por sportdashësit gjermanë nuk janë fajtorët e vetëm për këtë lloj sjelljeje. FIFA, organizata drejtuese e këtij sporti, ka kohë që lufton kundër racizmit, veçanërisht me tifozët spanjollë, italianë dhe evropiano-lindorë. FIFA e pranon se ka patur një shtim të këtyre rasteve ndërsa gjithnjë e më shumë lojtarë nga Amerika Latine dhe Afrika po luajnë me klube prestigjoze evropiane.

Publiciteti ndërkombëtar rreth thirrjeve dhe sulmeve raciste është bërë shkak që qeveria gjermane të vihet në pozitë shumë të vështirë. Senatori Ehrhart Korting i cili drejton Ministrinë e Drejtësisë në Parlamentin Shtetëror të Berlinit ka besim se tifozët do të gjejnë siguri të plotë. "Edhe një sulm i vetëm do të ishte i tepërt. Ne kemi vendosur policë në të gjitha pikat e veçanta, atje ku mendojm,ë se mund të ndodhë diçka. Nuk mund të themi se ekzistojnë zona ku nuk mund të shkohet", thotë senatori

Megjithë shqetësimet, autoritetet gjermane nuk kanë në plan të nxjerrin ndonjë paralajmërim zyrtar për vizitorët dhe sigurisht që shpresojnë se rivalitetet do të shprehen vetëm brenda stadiumeve. //rd//

XS
SM
MD
LG