Lidhje

Zyrtarët iranianë hedhin poshtë disa nga pikat e paketës me stimuj të Perëndimit

  • Shallis MekDona

Zyrtarët iranianë hodhën poshtë disa nga pikat e paketës ndërkombëtare me stimuj që synojnë të bindin Teheranin për të pezulluar programin e tij bërthamor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Shallis MekDona sjell më shumë hollësi nga zyra jonë e Lindjes së Mesme në Kairo:

Kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Ali Larixhani, u tha gazetarëve në Kairo se paketa e stimujve ka probleme. Duke folur përmes një përkthyesi, ai thotë se propozimet kanë disa pika pozitive. Por në të njëjtën kohë ka probleme dhe pika të paqarta.

Përmes deklaratash të ngjashme në Teheran, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se Irani nuk i pranon disa nga pikat e paketës. Irani nuk është shprehur konkretisht se cilat janë shqetësimet e tij për propozimin, por udhëheqësit e atij vendi vazhdimisht e kanë hedhur poshtë idenë se ata duhet të ndalin pasurimin e uraniumit, gjë që është edhe synimi kryesor i programit të stimujve.

Paketa u hartua nga Britania, Franca dhe Gjermania si dhe mori miratimin e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Ajo i ofron Iranit stimuj, ku besohet se përfshihet një heqje e pjesshme e sanksioneve ekonomike amerikane, si dhe dënime të mundshme nëse Irani refuzon të ndalë aktivitetet për pasurimin e uraniumit. Të premten presidenti Bush tha se Irani ka javë dhe jo muaj për të reaguar ndaj propozimit. Larixhani e hodhi poshtë gjithashtu atë ide:

" U tha se Iranit i ishte dhënë një afat për të pranuar. Kjo nuk është korrekte....nuk ka data të caktuara,"- tha Larixhani.

Në Teheran zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i bëri jehonë kësaj deklarate, por shtoi se Irani nuk po përpiqet të fitojë kohë. Larixhani ishte në Kairo për të fituar përkrahjen arabe rreth pozitës së Iranit në debatin për programin bërthamor. Ai u takua me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Amr Musa dhe me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak.//lk

XS
SM
MD
LG