Lidhje

Gjatë një vizitë të papritur në Bagdat, presidenti Bush u zotua se do të mbështesë kryeministrin irakian al-Maliki dhe qeverinë e tij


Presidenti Bush, gjatë një vizitë të papritur në Bagdat, u zotua se do të mbështesë kryeministrin irakian Nuri al-Maliki dhe qeverinë e tij.

Presidenti Bush i tha kryeministrit Maliki se e ardhmja e Irakut është në duart e tij, por Shtetet e Bashkuara do të mbajnë fjalën e dhënë për të ndihmuar Irakun.

Pas takimit me zotin al-Maliki, presidenti Bush u takua me trupat amerikane në Irak dhe i falenderoi ata për shërbimin e tyre. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë në ndërtimin e një Iraku të lirë dhe në kapjen e njerëzve si Abu Musab al-Zarkavi, udhëheqësi i al-Kaidës në Irak, i cili u vra javën e kaluar nga një sulm ajror amerikan.

Presidenti Bush kishte në plan të bisedonte sot me kryeministrin Maliki nëpërmjet një video-konference. Por papritur, ai shkoi në Bagdad për bisedime të drejtpërdrejta lidhur me të ardhmen e Irakut dhe mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara atje.

Presidenti Bush i tha kryeministrit Maliki se Iraku është një prej fronteve qendrore në luftën kundër terrorizmit dhe se suksesi i qeverisë së tij do të jetë një zhgënjim i madh për ata që parashikojnë një të ardhme të zymtë për Irakun.

“Unë kam ardhur jo vetëm t’ju shoh, por edhe t’ju them se kur Amerika jep fjalën, ajo e mban. Është në interesin tonë që Iraku të ketë sukses. Nuk është vetëm në interes të popullit irakian, por edhe të popullit amerikan dhe të popujve që duan lirinë” - tha ai.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Dan Bartlet, thotë se vizitën Presidenti e kishte planifikuar prej kohësh, për të treguar mbështetjen e tij për qeverinë e re të Irakut. Tani që kjo qeveri ka kabinetin e saj të plotë, vizita e papritur 5-orëshe është një mundësi për presidentin të tregojë se ai po e shfrytëzon këtë rast të paraqitur nga udhëheqja e re irakiane.

Presidenti Bush tha se i ka bërë përshtypje larmia e kabinetit të kryeministrit Maliki dhe se është i bindur se me ndihmën e duhur, ata do të kenë sukses.

"Unë e vlerësoj që ju jeni të vetëdijshëm se e ardhmja e vendit tuaj varet prej jush. Vendimet që ju dhe kabineti juaj do të marrë do të përcaktojnë nëse vendi juaj do të ketë sukses apo jo, nëse do të jetë në gjendje të qeverisë veten, të mbajë veten e të mbrojë veten.” - tha Presidenti.

Pas video-konferencës së planifikuar me zyrtarët e tjerë amerikanë që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara, Presidenti tha se ata diskutuan rreth strategjisë për të përmirësuar sigurinë, për të ndihmuar ekonominë dhe rindërtimin e Irakut.

Kryeministri irakian Maliki tha se ai është i vendosur për një qeveri pluraliste të aftë për të sjellë së bashku sektet e përçara të Irakut. Kryeministri Maliki tha se është i vendosur për të patur sukses dhe për të mposhtur terrorizmin. Ai tha se Iraku do të qëndrojë i fortë e i bashkuar. Kryeministri Maliki shprehu shpresën se forcat e koalicionit në vendin e tij shpejt do të jenë në gjendje të kthehen në vendet e veta, por nuk ofroi ndonjë afat për këtë tërheqje.

Vazhdimi i luftës në Irak ka ndikuar në rënien e popullaritetit të presidentit Bush. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë parashikojnë një rritje të lehtë të këtij popullariteti pas vrasjes javën e kaluar të udhëheqësit terrorist Abu Musa Al Zarkavi. Por ata e pranojnë se kjo rritje do të jetë e përkohëshme pa përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe mundësive më të qarta për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Në Bagdad, presidenti Bush gjithashtu pritej të takohej me presidentin Xhalal Talabani dhe me kryetarin e parlamentit Mahmud al-Mashadani, si dhe me politikanë të tjerë irakianë.

XS
SM
MD
LG