Lidhje

Freedom House: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, sfidat më të mëdha për demokracinë në Shqipëri


Organizata Freedom House publikoi raportin e përvitshëm për vendet në tranzicion, ku merr në analizë zhvillimin e demokracisë në 29 vende nga Evropa Qendrore në Euroazi. Në raport thuhet se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm gjatë 15 viteve të fundit, që kur filloi tranzicioni i vështirë drejt demokracisë, por në të tërhiqet vëmendja për vazhdimin e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti thekson se konsolidimi i demokracisë vazhdon të jetë një prej përparësive ku duhet të përqëndrohet puna e autoriteteve. Organizata Freedom House thekson se është shumë e rëndësishme që si klasa politike, ashtu edhe popullsia kanë një konsensus të përgjithshëm për çështjet e demokratizimit dhe integrimit Euro-Atlantik. Përsa i takon këtij synimi, në raport theksohet se qeveria e dalë nga zgjedhjet e fundit duhet të demonstrojë vullnet politik për të vazhduar reformat e nevojshme për procesin e integrimit evropian. Ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, thuhet në raport, mund të shihet edhe si shprehje e qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar për vitin e parë të qeverisjes demokrate, autoritetet duhet të provojnë se mund të qeverisin efektivisht pa minuar parimet kryesore të demokracisë, ose institucionet demokratike.

Ndër problemet e tjera me të cilat ndeshet Shqipëria sot, vazhdon raporti, janë: krimi i organizuar dhe korrupsioni, përmirësimi i sistemit zgjedhor, dobësia e institucioneve shtetërore, investimet e pakta të huaja, ndërhyrja e politikës tek drejtësia, mungesa e ekuilibrit në masat për vendosjen e rendit dhe ndjekjen penale, mangësitë në shoqërinë civile dhe problemet me pavarësinë e medias.

Në raport thuhet se zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar i ofruan vendit një shans të ri për të ecur drejt një demokracie më pluraliste dhe të konsoliduar. Freedom House thotë se zgjedhjet shënuan një përparim: ato ishin të lira, megjithëse jo të drejta, sipas raportit dhe ato u pasuan nga një transferim paqësor pushteti, me dorëheqjen e kreut të Partisë Socialiste Fatos Nano pas humbjes dhe me më shumë optimizëm në përparimin për integrim në BE.

Në raport përmendet fakti që qeveria erdhi në pushtet pas një fushate me premtime ambicioze për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat cilësohen si pengesat më të mëdha në rrugën drejt integrimit evropian.

Në raport përmendet si zhvillim pozitiv miratimi i ligjit për konfliktin e interesave që ndihmoi në krijimin e idesë se fitorja në zgjedhje nuk do të thotë privilegje të pakufizuara dhe arrogancë. Megjithatë raporti tërheq vëmendjen se një sërë masash kundër korrupsionit, janë marrë vetëm me vullnetin e mirë politik dhe nuk janë shoqëruar nga masat e nevojshme legjislative, që do të siguronin efektivitetin afatgjatë.

Duke përmendur zgjedhjet e ardhshme lokale, organizata Freedom House thotë se ato do të jenë një rast mirë për koalicionin e ri qeveritar që të tregojë angazhimin e tij për konsolidimin e demokracisë. Partia Demokratike, thotë raporti, do t’i shohë ato si referendum për vitin e parë në qeverisje, ndërsa për PS-në, do të jetë një provë, sesi do të dalë në zgjedhje kryetari i saj i ri Edi Rama. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ketë ndikim me peshë edhe për decentralizimin, pasi siç thuhet në raport historia e 15 vjetëve të fundit ka treguar se qeveria qendrore ka më shumë vullnet ta ndajë pushtetin kur partia kryesore politike kontrollon të dyja nivelet e qeverisjes. Siç lë të kuptohet raporti, ky vit do të shihet si vit prove për Shqipërinë, për nismat e filluara dhe premtimet e marra gjatë vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG