Lidhje

Berisha në Prishtinë


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha po zhvillon një vizitë tre-ditore të nivelit më të lartë në Prishtinë, i pritur nga zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë në vend. Pyetja me të cilën u përball kryeministri i Shqipërisë në Prishtinë kishte të bënte me qëndrimin e Shqipërisë ndaj statusit të Kosovës, a do të jetë Shqipëria ndër vendet e para që do ta njohë pavarësinë e saj.

Kryeministri Berisha e bëri të qartë se ajo për të cilën ka nevojë Kosova është njohja nga Grupi i Kontaktit. “Kosova dhe Shqipëria janë dy vende vëllezër, janë motra. Për Kosovën e rëndësishme është ta njohë Grupi i Kontaktit, por njohja e Shqipërisë është e vetëkuptueshme, por duhet të jemi realistë, njohja e Grupit të Kontaktit është ajo që ka nevojë Kosova”, tha zoti Berisha.

Homologu i tij nga Kosova, kryeministri Agim Çeku, e bën të qartë se Tirana dhe Prishtina kanë një synim të përbashkët, integrimin në strukturat euro-atlantike. “Kosova dhe Shqipëria kanë vetëm një axhendë politike dhe ajo është integrimi i dy vendeve tona në strukturat euro-atlantike. Në këtë drejtim, padyshim që do të përfitojmë nga praktikat, nga standartet, nga përvojat e Shqipërisë në përafërimin me këto struktura euro-atlantike”, tha zoti Çeku.

Kryeministri Berisha thotë se qëndrimi i Prishtinës zyrtare ka ndihmuar shumë në përshpejtimin e zgjidhjes së statusit. “Kam besim të madh se me këto qëndrime i kanë kontribuuar shumë zgjidhjes së statusit përfundimtar, pavarësisë së Kosovës, si kusht përcaktues për paqen, stabilitetin, në Kosovë, por edhe në vendet përreth saj, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, në Ballkan dhe në përgjithësi”. Tirana zyrtare për herë të parë në vitet e fundit, shprehu qartë qëndrimin e saj ndaj të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Kryeministri Berisha tha se qëndrimi ndaj pakicës serbe në Kosovë ka rëndësi të madhe kombëtare. “Dua të theksoj se marrëdhëniet dhe qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës ndaj pakicave dhe ndaj pakicës serbe në vecanti, kanë një rëndësi të madhe kombëtare. Këto marrëdhënie jo vetëm përcaktojnë standartet demokratike në Kosovë por përcaktojnë dhe kanë ndikim të madh edhe në marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit serb, dy kombe që duhet të shohin me guxim dhe me përgjegjësi të ardhmen e tyre për të shkrojtur një kapitull miqësie dhe bashkëpunimi dhe për të ecur, për tu shkëputur nga e shkuara dhe për të ecur drejt Evropës”.

Kryeadministratori në largim e sipër Sorren Jessen Petersen veçoi atë që është më e rëndësishme në punën që ka bërë qeveria e kryeministrit Berisha, luftën kundër krimit. “Më në fund, e urova kryeministrin për shtysën dinamikën që ai ka nisur që në momentin që mori detyrën si kryeministër për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”. Zoti Petersen tha se ky është një problem serioz edhe këtu, dhe shërben si shembull edhe për udhëheqësit e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë e quajti kryeadministratorin në largim e sipër të Kosovës, një mik të madh të qytetarëve të Kosovës dhe fqinjëve të saj. Kryeministri Berisha iu drejtua për herë të parë edhe ligjvënësve të të Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë konfirmoi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të qeverisë së Tiranës për realizimin e aspiratave legjitime të qytetarëve të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG