Lidhje

Thyerja e tabusë - Gratë në botën islamike


Ndërsa kanë bërë hapa modeste përpara gjatë pak viteve të fundit, gratë në botën islamike vazhdojnë të mos kenë përfaqësimin e duhur dhe mungojnë në politikë. Aida Akl i hedh një vështrim mënyrës se si gratë po ecin politikisht në shoqëritë tradicionalisht islamike.

Në vitin 2003, numri i grave të zgjedhura në parlamentin indonezian, ku jetojnë rreth 200 milionë myslimanë, përbënte rreth 8 përqind. Sot, ky numër është rritur në më shumë se 11 përqind. Sipas Bashkimit Ndër-Parlamentar në Gjenevë, organizata ndërkombëtare e parlamenteve të shteteve sovrane, gratë në Turqi, vend ku jetojnë 67 milionë myslimanë, kanë më pak se 5 përqind të vendeve në parlament. Kjo është e njëjta përqindje që ishte edhe para tre vjetësh, por dyfishi i vitit 1997.

Në Lindjen e Mesme, Kuvaiti u dha grave kohët e fundit të drejtën për të votuar dhe emëroi gruan e parë në një post ministror. Në fillim të këtij viti, gjashtë gra kandiduan në zgjedhjet vendore në Arabinë Saudite, hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Ndërsa kushtetuta e re irakiane u garanton grave 25 përqind të vendeve parlamentare.

Shireen Hunter në Qendrën për Mirëkuptimin Myslimano-Kristian në Universitetin Georgetown thotë se gratë që duan të bëjnë karrierë politike në vendet myslimane, kanë shumë punë përpara për ta arritur këtë, sidomos në Arabinë Saudite: “Mendoj se në disa aspkte, gratë atje, megjithëse kanë përparuar nga ana arsimore, prania e tyre në shoqëri në përgjithësi dhe në politikë është ndoshta më e prapambetura.”

Por disa analistë thonë se gratë në politkë nuk janë të përfaqësuara sa duhet edhe në vende të tjera të botës. Ata vënë në dukje se në disa vende evropiane, gratë nuk kishin të drejtën e votës deri në mesin e shekullit të 20-të. Marina Ottaway, specialiste për demokracinë dhe rindërtimin pas konflikteve në Institutin Karnegi në Uashington thotë se duke marrë parasysh që lëvizja feministe globale është kaq e re, roli politik i grave në vendet myslimane duhet parë nga një pikëpamje historike: “Dua të vë në dukje se gratë fituan të drejtën e votës në vitin 1920 në Shtetet e Bashkuara, dhe se vetëm 14 përqind e anëtarëve të kongresit amerikan janë gra. Ky vend nuk ka pasur shumë ministri të drejtuara prej grave, dhe mundësia e një gruaje presidente në Shtetet e Bashkuara sapo ka filluar të diskutohet. Me fjalë të tjera, kjo nuk është e pazakontë dhe nuk ndodh vetëm në vendet myslimane.”

Ishin një bashkim faktorësh kulturorë dhe ekonomikë që nxitën lëvizjen feministe kur gratë filluan të punonin pas luftës së parë dhe të dytë botërore. Shumica e analistëve pajtohen se këto faktorë ndërthuren tani me tradita fisnore në shoqëritë patriarkale të cilat kufizojnë pjesëmarrjen publike të grave apo i bëjnë ato subjekt ngacmimesh dhe kërcënimesh nëse ato futen në politikë. Gratë në shoqëritë ultra-konservative si në Afganistan shpesh nuk mund të dalin nga shtëpia pa shoqërues, ose u duhet leja e burrave për të filluar një karrierë politike. Por ndryshimet, megjithatë, kanë filluar.

Gjatë viteve të fundit, një lëvizje e njohur si “Islami feminist” ka lindur nën drejtimin e femrave të ditura myslimane të cilat e interpretojnë ligjin islamik nën një dritë më përparimtare. Por deri tani, kjo ka qenë e kufizuar në perëndim. Ndërkohë, shumë analistë shpresojnë se një sistem kuotash parlamentare i miratuar në shumë vende myslimane do t’u garantojë grave një mundësi për t’u marrë me politikë në shoqëritë e tyre dhe do të rrisë nivelin e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike.

Pyetja që shtrojnë disa vëzhgues është nëse do të ketë përpjekje që ky sistem i diskutueshëm të manipulohet për të frenuar përparimin politik të grave në botën islame. //rd//

XS
SM
MD
LG