Lidhje

Kompani private për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit

  • Marti Hill
  • Pol Miller

Qeveria Amerikane ka rekrutuar një numër të madh kompanish private për të ndihmuar ushtrinë, zbulimin dhe policinë në luftën e tyre kundër terrorizmit si në vend ashtu edhe jashtë tij. Një ekspert thotë se operacionet e Shteteve të Bashkuara nuk do të kishin sukses pa ndihmën e kontraktuesve privatë. Por të tjerë thonë se disa prej këtyre kompanive kanë bërë gabime dhe duhen kontrolluar më nga afër.

Sulmet terroriste kundër Pentagonit dhe kundër Qendrës Botërore të Tregëtisë, u kushtuan jetën 3 mijë njerëzve dhe krijuan nevojën e ngutshme për gjetjen e mijëra njerëzve me aftësi të posaçme për të luftuar terrorizmin.

Por zëdhënësi i një shoqate kompanish kontraktuese në fushën e sigurimit, Doug Brooks, thotë se për të marrë në punë persona të tillë, qeverisë i duhet shumë kohë, kështu që për kryerjen e detyrave më urgjente ajo përdor kompanitë private. “Çdo ushtri, madje edhe ajo amerikane, ka burime të kufizuara dhe, nëse ekziston nevoja e specialistëve në disa fusha, përgjithësisht, qeveria i drejtohet sektorit privat”.

Ish-kreu i financës për Pentagonin, Dov Zakheim, thotë se kompanitë e kontraktuara po plotësojnë në fakt boshllëqet e mbetura për shkak të shkurtimeve të pas-luftës së ftohtë në ushtrinë amerikane. “Operacionet ushtarake nuk do të kenë sukses pa kontraktorë në terren”, thotë Zakheim.

Kontraktorët në ushtri kanë punuar për dekada të tëra, por kurrë më parë nuk ka patur kaq shumë punëtorë nga kompani private që kryejnë gjithë ato detyra që më parë kryheshin nga ushtarët apo policët.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, për shembull, kompanitë e kontraktuara bënë të mundur marrjen në punë të dhjetra-mijëra njerëzve që nevojiteshin për kontrollet e pasagjerëve në aeroporte.

Kjo ka bërë gjithashtu që shumë ushtarë të lirohen nga detyrat e ruajtjes së objekteve në bazat ushtarake dhe të mund të jenë të gatshëm për detyra luftarake.

Por disa revizorë të qeverisë i kanë kritikuar këto lloj kontratash, pasi në disa raste kompanitë private kanë marrë në punë njerëz me të kaluar kriminale.

Megjithatë, numri i kontraktorëve privatë që punojnë në Irak është shtuar. Një pjesë e tyre shërbejnë për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë amerikanë ose për mbrojtjen e autokolonave me furnizime për ushtrinë, duke bërë që ushtria të ketë më tepër forca të lira për detyra luftarake.

Disa kontraktorë janë akuzuar për gabime serioze, si për shembull, pjesëmarrje në keqtrajtimin e të burgosurve në burgun Abu Graib të Irakut.

Majlla Rosental e organizatës Amnesty International, thotë se incidentet në këtë burg tregojnë se figura e njerëzve të marrë me kontratë nuk është kontrolluar mirë dhe se ndaj veprimeve të tyre nuk ishin vënë kufizime ligjore të efektëshme. “Asnjë civil nuk është gjykuar për abuzime edhe pse ka njoftime në shtyp dhe nga ushtria për kontraktorë civilë të përfshirë në keqtrajtime që shkojnë nga abuzimet seksuale dhe torturimi i të burgosurve deri në vdekjen e civilëve”, thotë zonja Rosental.

Por sipas një zyrtari amerikan, 19 raste të përfolura keqtrajtimesh nga ana e kontraktorëve i janë përcjellë Departamentit të Drejtësisë. Ai thotë se dy prej tyre nuk i përmbushin kushtet për ndjekje penale dhe rastet e tjera po rishikohen.

Ndërkohë, studiues, zyrtarë, kritikë dhe drejtues në industrinë e kompanive kontraktore po diskutojnë se ç'mund të bëhet për të reformuar mënyrën e kontraktimit të kompanive private për detyra në fushën e sigurimit. Disa sugjerojnë licensimin e punonjësve me kontratë, rritjen e konkurrencës për marrje kontratash dhe krijimin e një organizmi mbikqyrës për firmat me kontratë.

Kritikët thotë se duhet treguar më shumë kujdes në zgjedhjen e punonjësve me kontratë dhe se kontratat duhet të përfshijnë kërkesa më të hollësishme, siç është respektimi i standardeve të të drejtave të njeriut.

Ndërkaq, kompanitë kërkojnë udhëzime më të qarta ligjore nga qeveria dhe nuk kanë kundërshtim që të shtohet mbikqyrja mbi ta. //az//

XS
SM
MD
LG