Lidhje

Palestinezët, të përmbajtur për ndihmat ndërkombëtare që do të anashkalojnë Hamasin


Palestinezët e pritën disi të përmbajtur një program ndërkombëtar ndihme që do të anashkalonte qeverinë e re të udhëhequr nga grupi ekstremist Hamas. Izraeli e ka mirëpritur këtë plan.

Zyrtarë palestinezë thonë se ky plan ndërkombëtar ndihme është i mirë si hap i parë, por i mangët. Plani i miratua nga Kuarteti i ndërmjetësve në Lindjen e Mesme, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusia.

Ky plan do të mbulojë koston në shëndetësi dhe nevojat e përditshme të popullatës, si dhe ndihmat për pjesën më të varfër të popullsisë palestineze. Megjithatë, Kuarteti tha se sanksionet ndërkombëtare që ia kanë bërë të pamundur Hamasit të mbulojë pagat e 165 mijë punonjësve të Autoritetit Palestinez, nuk do të hiqen. Ka tre muaj që ata nuk janë paguar. Kuarteti thotë se sanksionet nuk do të hiqen derisa Hamasi të heqë dorë nga dhuna dhe të njohë Izraelin.

Hamas, i cili kërkon shkatërrimin e Izraelit, thotë se kushtet janë të papranueshme. Zëdhënësi i Hamasit, Gazi Hamed, thotë se kushtet duhet t’u vihen të dyja palëve. “Po qe se duan që palestinezët të heqin dorë nga dhuna, Kuarteti duhet t’i kërkojë edhe Izraelit të ndalë të gjitha llojet e sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gazë”, tha zëdhënësi.

Izraeli tha se e mirëpret çdo plan ndihme që nuk financon terrorizmin. Zëdhënësi i qeverisë, Mark Regev: “Izraeli nuk do të bëjë asgjë për të penguar ndimat humanitare për palestinezët. Izraeli nuk kërkon vështirësi në territoret palestineze”.

Izraeli është shqetësuar se falimentimi ekonomik në Bregun Perëndimor dhe Gaza mund të shkaktojë kaos e dhunë, kështu që mendon se masa e Kuartetit është e saktë. Plani i ri synon të shmangë një krizë të mundshme humanitare, ndërkohë që vazhdon t’ia bëjë gjithnjë e më të vështirë qeverisë palestineze të udhëhequr nga Hamasi. //rd//

XS
SM
MD
LG