Lidhje

Pasioni i filatelisë, një biznes i ri fitimprurës

  • Mil Arcega

Mbledhja e pullave është një pasion, i cili në të njëjtën kohë, edhe paguhet. Pullat, shpeshherë janë shumë të bukura dhe ekzotike, por kanë edhe vlera historike. Vitet e fundit tregtia e pullave ka filluar të tërheqë investitorë seriozë.

Ekspozita Botërore e Filatelisë, ekspozita më e madhe e pullave në botë, organizohet një herë në 10 vjet. Ajo u hap ditët e fundit në Washington. Kjo ekspozitë tërheq entuziastë, tregtarë dhe organizata postare nga e gjithë bota. Disa prej tyre vijnë për të blerë, për të shitur, apo për të shkëmbyer, por shumica e vizitorëve vijnë thjesht për të admiruar larminë e pullave të ekspozuara, mes tyre edhe ato më të rrallat në botë.

Cilatdo qofshin arsyet, tregtari i pullave, Bob Prager thotë se një numër gjithnjë e më i madh koleksionistësh i shohin pullat si mall.

"Arsyeja e parë e koleksionimit të një objekti është ngaqë të pëlqen. Por, ka një numër më të madh njerëzish që vijnë këtu, ngaqë kërkojnë një mënyrë për të investuar para dhe me shpresën për t’u shpërblyer për investimin e tyre."- thotë ai.

Por, të investosh për pulla nuk është lojë amatorësh.

"Është një lloj biznesi",- thotë Prager.

Ai thotë se edhe profesionistët bëjnë gabime. Ai e pranon se ka humbur para me disa pulla, por ka patur gjithashtu shansin të fitojë. Ai sjell si shembull një pullë amerikane të cilën e ka shkëmbyer, dhe që njihet si koleksioni “121-B”.

"Koleksionsti im e bleu këtë ndoshta 6-7 vjet më parë, për 40 mijë dollarë. Tani ajo kushton 60 mijë..."- thotë ai.

Firma britanike e filatelisë, Stanley Gibbons, e specilizuar në investime alternative, thotë se pullat e rralla ishin mes investimeve kryesore të shekullit të 20-të, me një fitim vjetor prej 10 për qind. Prager thotë se sekreti për të fituar është durimi, pra të presësh për të blerë pullën e duhur dhe të dish kur ta shesës atë. Pikërisht këtu hyjnë profesionistët.

"Unë nuk e mbaj një pullë për një kohë shumë të gjatë; unë blej dhe shes. Mua më pëlqen kur një pullë e merr një koleksionist, në mënyrë që një ditë, kur ai të mërzitet, të dojë ta shesë koleksionin dhe të vijë për ta shitur tek unë. Mua më pëlqen t’i blej përsëri pullat e mija", - thotë Prager.

Kolekisoni i pullave është mes pasioneve më popullore të botës. Organizatat filatelike thonë se më tepër se 30 mijë koleksionistë pullash japin kontributin e tyre për një industri me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh në vit.

XS
SM
MD
LG