Lidhje

Presidenti Bush vlerëson lart marrëdhëniet amerikano-evropiane


Në prag të një vizite në Evropë, Presidenti Bush i përshkroi marrëdhëniet amerikano-evropiane si një shtyllë kryesore në fitoren e luftës globale kundër terrorizmit.

Zoti Bush u tha sot të diplomuarve në akademinë e marinës amerikane në Nju Jork se ai e bën këtë vizitë në një moment kritik për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Presidenti amerikan niset nga Washingtoni nesër në mëngjes. Të mërkurtën, ai do të marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Vjenë.

Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të marrin masa për të forcuar bashkëpunimin në sigurinë e transportit dhe për të luftuar terrorizmin dhe financimin e terrorizmit. Ai tha gjithashtu se udhëheqësit pjesëmarrës në takim do të përsërisin angazhimin për të mbështetur zërat e paqes e të moderimit në botën muslimane.

Gjatë vizitës në Vjenë, zoti Bush do të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, Volfgang Shuesel, dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë se kanë gjithashtu në plan të ngrenë çështjen e mbylljes së burgut të Shteteve të Bashkuara në gjirin e Guantanamos në Kubë. Vetëvrasjet e kohëve të fundit të 3 të burgosurve në Guantanamo kanë bërë që të përsëriten thirrjet për mbylljen e burgut.//lk

XS
SM
MD
LG