Lidhje

Shqipëri: PS deklaron se nuk do të bashkëpunojë me PD-në për reformën zgjedhore

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, Partia Socialiste deklaroi sot bllokimin e bashkëpunimit me Partinë Demokratike për reformën zgjedhore. Shkak u bë vendimi i shumicës së djathtë për të mos ndërmarrë asnjë ndryshim në ligjin për Radiotelevizionet, të kthyer pas nga Presidenti Alfred Moisiu. Nga ana e tyre, demokratët e quajtën këtë veprim të të majtëve, thjesht si një pretekst për të bllokuar përmirësimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërsa socialistët braktisën sallën e parlamentit, ligji për radiotelevizionet u miratua me 80 vota.

Reforma zgjedhore mbetet sërish peng i mosmarrëveshjeve mes pozitës dhe opozitës. Diskutimi sot në parlament i ligjit për radiotelevizionet i cili çon në ndryshime të strukturës drejtuese si të Radiotelevizionit Publik, ashtu edhe të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve, çoi në një ndarje të re mes palëve. Ligji ishte kthyer pas nga Presidenti Alfred Moisiu.

Socialistët janë të bindur se ndërhyrjet e pjesshme në sektorin e mediave kanë, sipas tyre, synim vendosjen e kontrollit të qeverisë mbi to vecanërisht në prag të zgjedhjeve të reja.

Pas debateve të shumta disa-orëshe, grupi parlamentar socialist, në përfundim të një mbledhjeje, vendosi jo vetëm të bojkotojë votimin, por të ndërmarrë edhe një tjetër hap drastik. Kryetari i grupit socialist Pandeli Majko i akuzoi demokratët se prishën marrëdhëniet e kompromisit përsa i përket reformës zgjedhore e për këtë deklaroi ndërprerjen e bashkëpunimit të mëtejshëm:

"Pa u zgjidhur ky moment i çështjes bazë së çështjes zgjedhore që është liria e mediave në Shqipëri, grupi parlamentar socialist ndërpret bashkëpunimin me PD dhe aleatët e vet për këtë çështje, ne nuk do të marrim pjesë në votimin sot në këtë seancë ku do të rikonfirmohet uzurpimi i mediave të lira nga interesat politike të Partisë Demokratike dhe zotit Xhuveli"- tha ai.

Nga ana e tyre, demokratët i hodhën poshtë gjatë gjithë kohës pretendimet e opozitës, duke u shprehur se në krye të institucioneve kryesore të medias nuk do të vihen figura të lidhura me politikën.

Ndërsa vendimin e socialistëve për tëbllokuar vazhdimin e mëtejshëm të reformës zgjedhore, kryetari demokrat Bamir Topi e cilësoi si vazhdim i mungesës së vullnetit që sipas tij, socialistët kanë dëshmuar deri më tani për çështjen e reformës elektorale:

"Kështu që ky nuk është gjë tjetër veçse një pretekst. Ne jemi të vendosur të jemi të hapur dhe mbështetës qoftë për zhvillimin e botës së medias dhe sidomos për përfundimin me sukses të reformës zgjedhore për të cilën jemi të motivuar që të shkojmë me standartete ndërkombëtare".

Me zhvillimet e sotme, reforma zgjedhore mbetet në vend numëro. Komisioni i posaçëm parlamentar nuk mund të vazhdojë punën, përsa kohë të gjithë vendimet duhet të merren pas konsensusit mes demokratëve dhe socialistëve.

XS
SM
MD
LG