Lidhje

Sejdiu: Pala shqiptare kërkon integritetin e plotë të Kosovës


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Agim Çeku, ndodhen në Uashington, ku të hënën pasdite takohen me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs. Takimi zhvillohet një ditë para sesionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Prishtina dhe Beogradi kanë disa muaj që kanë filluar negociatat për statusin e Kosovës, por deri tani në to është arritur pak ose aspak përparim. Të dyja palët vazhdojnë të kenë qëndrime plotësisht të kundërta lidhur me statusin përfunditar. Presidenti Sejdiu, në një intervistë për Zërin e Amerikës, foli mbi gjendjen në Kosovë, statusin dhe të ardhmen e saj, ku theksoi se mandate i vetëm i udhëheqjes së Kosovës është pavarësia e saj dhe se nuk do të ketë kompromis mbi tërësinë territoriale të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, kjo është vizita juaj e parë si president në Shtetet e Bashkuara. Pas pak ju do të takoheni me Sekretaren e Shtetit. Çfarë prisni ju nga një takim i tillë?

President Sejdiu: Më së pari them se është një nder i madh për mua dhe për zotin Çeku që jemi dhe prezantojmë Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në këtë takim me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs. Në radhë të parë them të shpreh falenderimin tonë të madh për punën e madhe që kanë bërë Shtetet e Bashkuara për vite të tëra në Kosovë, për popullin e Kosovës, për gjithë ato investime të gjithanshme që kanë bërë atje, po ashtu të shprehim simpatinë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës për Shtetet e Bashkuara dhe institucionet e tyre. Në këtë takim natyrisht ne do të shprehim vizionin tonë për procesin në të cilin ndodhemi dhe për kahjen e mëtejshme në të cilin do të dëshironim që të ecnim, me një investim të përbashkët dhe të sinqertë të të gjithë institucioneve të Kosovës dhe po ashtu do të themi që mbështetjen e mëtejshme që e kemi të nevojshme që Shtetet e Bashkuara t’i japin këtij procesi. Natyrisht se ne do t’i informojmë për rrjedhat e përgjithshme të zhvillimeve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, Kosova ka hyrë në një faze delicate, në atë të përcaktimit të statusit të saj. Mes morisë së problemeve me të cilat ndeshet Kosova, problemi i pakicës serbe është më thelbësori. Pala shqiptare vazhdimisht ka dhënë garanci për mbrojtjen e pakicës serbe. Megjithatë, pakica serbe vazhdon ende të jetojnë nën mbrojtjen e forcave ndërkombëtare. Çfarë zgjidhje konkrete, në praktikë, mund të ketë që ato të dalin nga enklavat?

President Sejdiu: Po mendoj se keni parasysh gjithë ato përpjekje që kemi bërë. Nuk do të ndalen përpjekjet tona që kjo pakicë të integrohet sikurse edhe pakicat e tjera që tanimë janë të integruara në jetën e përgjithshme në Kosovë dhe në jetën institucionale. Ajo që ne kemi ofruar si pjesë e dokumentave dhe si qasje konktrete në takimet e Vjenës është një nga variantet e qëndrueshme që mbështetet në standartet më të larta ndërkombëtare, duke parë nevojën e integrimit të tyre si një nevojë immediate, për të qenë pjesë e pjesë e përgjithshme e jetës edhe në të ardhmen e Kosovës. Çështja e dytë është me shumë rëndësi të themi se kjo pjesë e ofertës sonë është një ofertë e sinqertë që ka të bëjë jo vetëm për të kapërcyer valën e statusit tani, por natyrisht si pjesë e integrimit të tyre edhe në fazat e tjera të jetës duke pasur parasysh edhe qasjet affirmative që ne kemi pasur për këtë pakicë në kuptimin e garancive kushtetuese që janë dhënë, dhe natyrisht edhe në kuptimin e obligimeve ndërkombëtare që duhet të marrë Kosova në këtë drejtim. Është shumë me rëndësi të themi se janë bërë hapa pozitive në këtë fazë të zhvillimeve, posaçërisht në vitet e fundit dhe sidomos në një aksion shumë të ngjeshur të bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës në këtë fazë të zhvillimeve dhe negociatave. Duke pasur parasysh edhe nevojën tonë që të jemi në mesin e tyre, unë, kryeministri Çeku dhe zyrtarë të tjerë të lartë që përfaqësojnë institucionet e Kosovës shumë herë kemi qenë në mjediset ku ata jetojnë, duke pasur dëshirën që vërtetë mos ta ndjejnë veten si pakicë, por të jenë pjesë e përgjegjshme e veprimeve të përbashkëta të jetës, duke apeluar në të njëjtën kohë që edhe shumica shqiptare të jetë një shumicë e përgjegjshme dhe ajo e ka shprehur një gatishmëri të tillë që të bashkëpunojë në zhvillimet e mëtejshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kohët e fundit, tre komuna serbe në veri, kanë ndërprerë bashkëpunimin me institucionet vendase. Megjithë përpjekjet ndërkombëtare dhe të palës shqiptare prej disa vitesh, këto komuna vazhdojnë të mbeten të paintegruara. Komuniteti ndërkombëtar është shprehur kundër ndarjes së Kosovës, po në se të dyja palët bien dakort, a do të ishte e pranueshme për palën shqiptare një formulë ndarjeje?

President Sejdiu: Jo, pala shqiptare që me kohë ka dhënë formulën e vet: ne dëshirojmë integritetin e plotë të Kosovës, dhe natyrisht atë hapësirë territoriale që njihet me kufijtë e saj dhe në këtë drejtim dëshirojmë edhe funksionimin e plotë të institucioneve të Kosovës, për t’u dëshmuar edhe në këtë pjesë që vërtetë ka pasur probleme të deritanishme. Ajo që bashkësia ndërkombëtare e ka shprehur edhe përmes Grupit të Kontaktit në tri pakat e rëndësishme, në mesin e tyre është edhe ajo që ka të bëjë me ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Ne besojmë se duhet ta marrë edhe funksionalizimin e vet të plotë në kuptim të mbrojtjes së territorit të Kosovës, duke pasur parasysh po ashtu edhe qasjet e tjera afirmative në nevojën e integrimit të këtyre pakicave. Është shumë e vërtetë se ka probleme ende në këtë pjesë, sepse ka pasur edhe struktura paralele që kanë vepruar për një kohë të gjatë, të cilat kanë prodhuar, fatkeqësisht pasoja negative. Por mendoj paralelisht se ka po ashtu edhe qasje të liderve politikë të kësaj pjese që e shohin vetveten thjesht si një pjesë të manipuluar apo të instrumentuar në faza të mëhershme nga Beogradi. Për ne është e rëndësishme të shtohen masat e përgjithshme të sigurisë nga ana e palës përgjegjëse, trupat e KFOR-it apo të Natos, dhe forcat e Shërbimit Policor të Kosovës të involvohen në këtë drejtim, si pjesë e obligimeve të tyre. Por në të njëjtën kohë të jetë edhe pjesa e ofertës për një jetë normale të qytetarëve duke bërë investime paralel në të gjitha pjesët e Kosovës, por edhe në këtë pjesë që është një zonë shumë e rëndësishme strategjike.

Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, ndërsa ju po përgatiteni për statusin përfundimtar, çfarë roli mendoni se duhet të ketë zyra e presidentit në Kosovën e ardhshme?

President Sejdiu: Ne jemi në një proces të bashkëpunimit të të gjitha institucioneve të Kosovës. Unë udhëheq procesin e bisedimeve, jam në krye të delegacionit të Kosovës apo të Ekipit të Unitetit. Mund të them këtu se vërtetë ekziston një harmoni e mirë e të gjithë anëtarëve që përbëjnë këtë ekip, edhe në kuptimin e përfaqësimit të tyre institucionale, por edhe në kuptimin e pjesëmarrjes së opozitës në të. Po ashtu, kjo harmoni është e shprehur edhe në ekipet e tjera përcjellëse, duke filluar me grupin politik-strategjik, që është një filtër i rëndësishëm i dokumentacioneve dhe i politikave që zhvillohen në nivel të veprimeve të tanishme, por edhe të ekipeve të ekspertëve. Mendoj se në fazën që jemi tani ne do të dëshmohemi edhe më tepër për të mbajtur këtë koalicion, dhe natyrisht për të realizuar atë mandat që kemi. Mandati ynë është pavarësimi i Kosovës dhe nuk kemi mandat tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti President, sot zyra e OKB-së për Zhvillimin filloi një kurs kualifikimi kundër korrupsionit, por shprehu shqetësim se, për shkak të përhapjes së thellë të korrupsionit, ky fenomen mund të jetë bërë i vështirë për t'u goditur. A janë të gatshme institucionet të merren seriozisht me korrupsionin?

President Sejdiu: Ne jemi shumë të interesuar që të funksionojë seriozisht shteti ligjor me të gjitha dimensionet e tij dhe natyrisht çdo fenomen negativ apo sjellje deviante që mund të jetë edhe e karakterit të kriminalitetit ekonomik të luftohet me kohë. Ajo do të ishte forma më e mirë. Po ashtu edhe momentet e shfaqjes së saj shteti ligjor duhet të funksionojë. Dhe në këtë drejtim ne kemi nevojë bashkëpunimi edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me mekanizmat e tij që ndodhen në Kosovë, duke pasur nevojën po ashtu edhe të kooperimit të përgjithshëm edhe me vendet e rajonit. Është shumë me rëndësi që Kosova si subjekt i veçantë, pra si shtet që e quajmë në esencën e vet, pra si subjekt që njihet nga bashkësia ndërkombëtare të ketë një bashkëpunim të ngjeshur me të gjitha vendet e rajonit duke kontribuar edhe me pjesën e Paktit të Asocim-Stabilizimit, por edhe të marrëveshjeve bilaterale në drejtim të ndërprerjes edhe të ndikimeve të tjera që mund të jenë me pasoja për pjesën e rajonit ku jetojmë.

XS
SM
MD
LG