Lidhje

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Korenë e Veriut të mos kryej provën me raketa


Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs paralajmëroi Korenë e Veriut të mos e realizojë provën e raketës me rreze të gjatë veprimi, duke thënë se një provë e tillë do të cilësohej si diçka shumë serioze dhe si një akt provokimi. Paralajmërimi bëhet ndërkohë që fotografitë e marra me satelit tregojnë se Korea e Veriut po përgatitet ndoshta për një hap të tillë. Nëse ndodh, ky do të ishte lëshimi i parë i këtij lloji që nga viti 1999 kur Pheniani ra dakord të pezullojë provat e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Hera e fundit që Korea e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi ishte viti 1998 dhe një vit më pas ajo ra dakord të mos i përsërisë prova të tilla. Por sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, të dhënat e satelitëve tregojnë se serbatorët me karburant të lëngshëm janë montuar tashmë në trupin e një rakete në përgatitje për lëshimin e saj të mundshëm në bregun lindor të Koresë së Veriut.

Sekretarja Rajs, e cila i bëri komentet pas takimit me ministrin e jashtëm spanjoll, e paralajmëroi Korenë e Veriut që të mos e lëshojë raketën: "Do të ishte një çështje shumë serioze, madje një veprim provokues nëse Korea e Veriut vendos të lëshojë raketën. Natyrisht që ne do të konsultoheshin për të vendosur rreth hapit që do të ndërmerrnim por mund t’ju siguroj se ky hap do të ndërmerrej me seriozitetin më të madh", tha sekretarja Rajs.

Mendohet se raketat koreane me rreze të gjatë veprimi janë të afta të arrijnë bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Edhe Japonia është e shqetësuar, madje kryeministri Gjuniçiro Koizumi bëri dje një paralajmërim të ashpër: "Nëse Korea e Veriut nuk dëgjon fjalën tonë dhe lëshon një raketë, neve do të na duhet të këshillohemi me Shtetet e Bashkuara dhe të ndërmarrim hapa serioze."

Prova e vitit 1998 shkaktoi shqetësime të mëdha në Tokio sepse raketa kaloi mbi Japoninë veriore. Megjithëse Korea e Veriut pretendon se zotëron armë bërthamore, ajo kurrë nuk i ka lejuar të huajt t’i shohin ato.

Ekspertët amerikanë besojnë se ky vend komunist ka sasi të mjaftë plutoniumi për të ndërtuar të paktën 6 armë bërthamore. Shtatorin e kaluar, në bisedimet gjashtëpalëshe që përfshinin Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, Korea e Veriut ra dakord në parim të hiqte dorë nga programi i saj bërthamor në shkëmbim të garancive të sigurisë dhe ndihmave. Por ajo i bojkotoi bisedimet pas disa masave amerikane kundër falsifikimeve monetare të Penianit dhe ka refuzuar t’u rikthehet atyre megjithë thirrjet e Uashingtonit.

Ndonëse Peniani nuk ka reaguar drejtpërdrejt mbi çështjen e raketës, televizioni koreanoverior citonte dje një koment të Rusisë ku kjo çështje quhej një “spekulim i pakonfirmuar” i përhapur nga Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG