Lidhje

Kreu i UNMIK-ut akuzon Serbinë se po ushqen tensionet etnike në Kosovë


Kreu i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen akuzoi Serbinë se po nxit tensionet etnike për të penguar pavarësinë e Kosovës. Zoti Petersen kërkoi të martën masa të menjëhershme për të përcaktuar statusin e Kosovës.

I dërguari i posaçëm i OKB-së Soren Jessen-Petersen thotë se populli i Kosovës po e humb durimin me të ardhmen e pasigurt të saj. Në prag të largimit nga posti pas dy vjetësh në detyrë, zoti Jessen-Petersen i tha Këshillit të Sigurimi se pas shtatë vjetësh administrimi nga UNMIK-u, ka ardhur koha që më në fund të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës.

“Kjo gjendje e ndërmjetme nuk mund të vazhdojë edhe për shumë kohë. Dhe në prag të largimit, shpresa ime më e madhe është që të përcaktohet statusi dhe që ata që kanë vuajtur aq shumë gjatë konflikteve të rajonit gjatë 15 vjetëve të fundit të mund të gëzojnë më në fund një zgjidhje”.

I dërguari shprehu frikën se populli i Kosovës mund ta humbasë durimin nëse zvarritet marrja e një vendimi.

“Gjatë dy viteve të fundit, kemi qenë në gjendje të ruajmë qendrueshmërinë në Kosovë, pasi njerëzit i ka mbajtur shpresa e fillimit të procesit të statusit. Njerëzit kanë shfaqur një durim për t’u admiruar, sepse procesi i statusit po ecën përpara. Nëse ky proces ngadalësohet ose ndalet, mendoj se ata do të humbasin durimin. Ky nuk është as kërcënim, as shantazh. Është thjesht parje në sy e realitetit në terren. Ne duhet të kalojmë nga një gjendje e papërcaktuar në qartësi”.

Zoti Jessen-Petersen i bëri komentet ndërkohë që gjithnjë e më shumë duket se Këshilli i Sigurimit do të lejojë shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Votimi për këtë çështje pritet të mbahet në fund të vitit.

Por në raportin e tij para Këshillit të Sigurimit, shefi i UNMIK-ut akuzoi autoritetet serbe se po inkurajojnë mosbesimin etnik dhe politikat e izolimit në përpjekje për të ngadalësuar apo edhe ndaluar procesin e statusit.

“Për shembull, sa herë që kryhet ndonjë krim dhe viktima është serb i Kosovës, shpesh deklarohet se është bërë për motive etnike, zakonisht pa pasur prova. Kjo jo vetëm që është e padrejtë ndaj shoqërisë së Kosovës, por çka është më shqetësuese krijon një klimë pasigurie mes komuniteteve të serbëve të Kosovës”.

Një përfaqësues serb e kundërshtoi tablonë që paraqiti zoti Jessen-Petersen, duke thënë që nuk pasqyron të vërtetën. Sanda Raskovic – Ivic Presidente e Qendrës serbe të Bashkërendimit për Kosovën tha se autoritetet shqiptare të Kosovës tolerojnë atë që ajo e quajti dhunë ekstremiste me intensitet të ulët kundër serbëve.

“Është një fakt i njohur që të drejtat e njeriut në Kosovë janë shkelur në shkallë masive. Të drejtat e serbëve dhe jo shqiptarëve, një pakicë e konsiderueshme, janë kërcënuar”.

Zonja Raskovic-Isic tha se Serbia po i ofron Kosovës autonomi të zgjeruar nga Beogradi. Ajo tha se përpjekjet për të përfunduar procesin e statusit kishin si qëllim që të ndikonin që rezultati të ishte në favor të kërkesës së shqiptarëve për pavarësi të plotë.

XS
SM
MD
LG