Lidhje

Maqedoni: Zyrtarët ndërkombëtar të shqetësuar për incidentet në prag të zgjedhjeve


Ambasadorët e SHBA dhe të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Xhillien Millovanoviç dhe Erwan Fuere i pritën sot vonë pasdite në ambasadën amerikane drejtuesit e dy partive shqiptare Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arbën Xhaferin e Partisë Demokratike Shqiptare për t’ua shprehur shqetësimet lidhur me incidentet e fundit që po ndodhin në shtabet zgjedhore të këtyre dy partive. Zotërinjtë Ahmeti dhe Xhaferi thanë se u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre që t’i shmangen përdorimit të dhunës.

Ambasadorja e SHBA Gillian Millovanoviç dhe shefi i zyrës së BE në Shkup Erwan Fouere kanë shprehur shqetësim të madh për shkak të akteve të dhunës që po ndodhin nëpër shtabet zgjedhore të partive shqiptare në Maqedoni. Ambasadorja amerikane Millovanoviç tha se dëshira e dy ambasadorëve ishte që të gjinden zgjidhje të një fryme të lirë dhe të drejtë të zgjedhjeve të cilën e dëshirojnë të gjithë.

Ambasadori i BE-së, Fouere tha se këto akte do të lënë pasoja të rënda për sa i përket aspiratave të vendit për anëtarësim në strukturat evroatlantike. Ambasadorët bënë thirrje që aktet e tilla të dhunës të ndërpriten menjëherë. Ambasadorët Milovanoviç dhe Fouere u bënë thirrje të gjitha partive që të punojnë për sigurimin e një procesi të lirë, të drejtë dhe demokratik të zgjedhjeve. Ata kërkuan zbatimin e plotë të Kodit të sjelljes që e kanë nënshkruar para disa ditësh drejtuesit politikë, duke u kërkuar mbështetësve të tyre që të heqin dorë nga aktet provokuese dhe aktet që frikësojnë kundërshtarët dhe në mënyrë publike të dënojnë çdo lloj përdorimi të dhunës kundër rivalëve politikë gjatë fushatës ose në ditën e zgjedhjeve.

Arbën Xhaferi i PDSH i dënoi incidenetet dhe bëri thirrje për një proces të qetë: “Duke i dënuar dhe duke u distancuar nga këto incidente ne apelojmë te aktivistët, te simpatizuesit dhe te populli shqiptar në Maqedoni që edhe kësaj radhe të japin mbështetjen e tyre të fuqishme për zhvillimin demokratik të këtyre zgjedhjeve”.

Edhe Ali Ahmeti i BDI-së u bëri thirrje aktivistëve dhe simpatizuesve të partisë së tij dhe koalicionit dhe të PDSH e mbështetësve të saj që ti shmangen çdo lloj dhune: “Të distnacohen nga çdo lloj dhune dhe të marrin përgjegjësi që proceset t’i çojmë përpara; plotësisht kemi rënë dakort për një proces të rregullt sepse është domosdoshmëri. Jemi në një situatë mjaft të rëndësishme qoftë për rajonin qoftë edhe për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të proceseve në Maqedoni”.

Fushata parazgjedhore është shoqëruar me incidente pothuaj se të përditshme sidomos nëpër shtabet dhe ndërmjet aktivistëve të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare. //rd//

XS
SM
MD
LG