Lidhje

SHBA: Përparimi i negociatave të statusit të Kosoves kërkon elasticitet nga të dyja palët


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Agim Çeku patën dje një takim me Sekretaren e Shtetit, Kondolica Rajs, ku theksuan angazhimin e tyre për një Kosovë moderne, demokratike dhe shumë-etnike. Zonja Rajs e cilësoi takimin si shumë pozitiv dhe përshëndeti vullnetin politik që ka treguar qeveria e Kosovës për të shënuar përparim në zbatimin e standardeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës -Ndihmës-Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane, Rosmary Di Karlo, komenton lidhur me takimin e dhe vleresimin e Uashingtonit për gjendjen ne Kosovë.

Zëvendës-Ndihmës Sekretarja e Shtetit Rozmari Di Karlo theksoi se Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku zhvilluan diskutime të shkëlqyera me Sekretaren e Shtetit Rajs. Bisedimet u përqëndruan mbi të ardhmen e Kosovës, nevojën për zbatimin e standarteve në mënyrë që të gjitha pakicat të gëzojnë një jetë normale në Kosovë si dhe diskutuan procesin e negociatave.

Në raportin e tij para Këshillit të Sigurimit, Zoti Jesen Petersen theksoi krijimin e një klime të re pozitive që po ndihmon në zbatimin e standarteve. Zonja Di Karlo tha se Shtetet e Bashkuara, si pjesë e Grupit të Kontaktit, i kanë parashtruar qeverisë së Kosovës një listë përparësish për të forcuar besimin e ndërsjellë ndërmjet komuniteteve dhe për të përmirësuar jetën e pakicave.

Zonja Di Karlo vërejti se mbeten një sërë sfidash serioze, dhe veçoi dy ndër problemet më të spikatura, një ndër të cilat është mungesa e vullnetit politik: "Vërejmë një vullnet të fortë politik nga zyra e Kryeministrit. Por duhet që ky vullnet të veprojë edhe në nivel lokal, në komuna në mënyrë që të gjithë politikanët dhe përfaqësuesit e zgjedhur ta trajtojnë këtë çështje me shumë seriozitet. Shpresojmë që shembulli që kanë dhënë Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Çeku do të pasohet nga të tjerë në mënyrë që të shënohet përparim," tha zonja Di Karlo.

Një tjetër çështje shqetësuese, dhe pengesë në përpjekjet për krijimin e një shoqërie shumë-etnike dhe demokratike në Kosovë, thotë zonja Di Karlo, është mospjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës. "Është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të kenë një zë në institucione, në mënyrë që të jenë në gjendje të mbrojnë realisht të drejtat e tyre. Shpresojmë dhe u bëjmë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në institucione."

Megjithë mungesën e një përparimi të dukshëm në procesin e negociatave, zonja Di Karlo tha se Shtetet e Bashkura dëshirojnë dhe shpresojnë që të ketë një zgjidhje të statusit të Kosovës brenda këtij viti: "Për t’ia arritur kësaj duhet që të gjitha palët të tregohen elastike mbi një gamë çështjesh. Shtetet e Bashkuara do të tregohen më këmbëngulëse për të nxitur palët dhe për t’ia bërë të qartë se elasticiteti i palëve në negociata është i rëndësishëm."

Shtetet e Bashkuara, tha Zëvendës-Ndihmës Sekretarja e Shtetit, mbështesin të dërguarin e posaçëm Martii Ahtisari në përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje të statusit të Kosovës. //ad//

XS
SM
MD
LG