Lidhje

Shqetësime për situatën parazgjedhore në Maqedoni


Ambasadorët e vendeve perëndimore në Maqedoni shprehin shqetësim për shkak të incidenteve të shpeshta në fushatën parazgjedhore sidomos mes shqiptarëve. Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkmimit Evropian u kërkuan mbrëmë dy drejtuesve politikë shqiptarë që ta zbatojnë plotësisht Kodin e sjelljes që kanë nënshkruar para disa ditësh, ndërsa kanë kërkuar nga ata të dënojnë publikisht çdo lloj përdorimi të dhunës kundër rivalëve politikë gjatë fushatës ose në ditën e zgjedhjeve. Ndërkohë, thirrja që koalicioni i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë për Prosperitet Demokratik u ka drejtuar partive shqiptare për një takim që do të zbuste gjendjen e krijuar në këto ditë të fushatës, nuk ka gjetur mbështetje. Për të diskutuar më në hollësi mbi gjendjen në Maqedoni në prag të zgjedhjeve Zëri i Amerikës bisedoi në programin Ditari me profesorin e universtietit të Evropës Juglindore Rufi Osmani.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, zgjedhjet e kaluara vendore në Maqedoni u karakterizuan nga parregullsi të shumta. Edhe këtë herë me të filluar fushata elektorale u vu re tensionim e madje edhe akte dhune mes përkrahësve të dy partive më të mëdha shqiptare. Cili është sipas jush shkaku i një acarimi të tillë midis Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare?

Rufi Osmani: Personalisht mendoj se së pari bëhet fjalë për një moral të dyfishtë politik të liderëve kryesor të këtyre dy partive të cilët verbalisht prononcohen për paqe, për respektim të kodit zgjedhor dhe në anën tjetër nuk menaxhojnë faktikisht strukturat e tyre inkriminuese që i kanë në të dyja partitë për fat të keq. Objektivi bazë i një situate të kësaj natyre në veçanti synon që të krijojë një alibi që nesër të mos pranohen rezultatet zgjedhore dhe në këtë mënyrë faktikisht duke inkriminalizuar procesin zgjedhor të predikojnë fituesit dhe humbësit dhe të faturojnë faktorin ndërkombëtar pjesëmarrjen e përbashkët të dy partive në qeverinë e ardhëshme të një koalicioni të gjerë. Personalisht mendoj se ka elemente të cilat kryesisht u adresohen ish ushtarëve të UÇK-së të cilët BDI-ja duke qënë në pushtet nuk i risocionalizoi dhe nga motive revanshizmi ato kryesisht kanë aderuar në partinë më të madhe opozitare dhe janë shkaktarët kryesor të këtyre incidenteve për tu pasuar më tej me elemente të njëjta inkriminuese edhe në BDI dhe në këtë mënyrë të krijojnë një situatë mjaft të tensionuar kundër të cilës në përgjithësi është vetë populli shqiptar dhe të gjithë faktorët determinues lokalë dhe ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, ka vëzhgues që thonë se në themel të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy partive janë interesat ekonomike që lidhen me qënien në pushtet. Cili është mendimi juaj?

Rufi Osmani: Konstatimi i analistëve që ju apostrofoni është me vend, vetëm një dallim të vogël se në këtë rast bëhet fjalë jo për interesa të mirëfillta legale ekonomike por kryesisht për interesa që kanë për burim kontrabandën, krimin e organizuar, korrupsion, rryshfet që për fat të keq ka qënë karakteristikë edhe e partisë më të madhe opozitare shqiptare kur ishte deri dje në pushtet, por ka shoqëru kjo dukuri edhe partinë aktuale shqiptare në pushtet. Do të thoja se bëhet fjalë për cënim të interesave ekonomike që kanë për bazë faktikisht burime jo legale në përgjithësi për elitat dhe për qarqe të biznesit që përkrahin këto dy elita politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, Maqedonia synon të marrë ftesë për t'u anëtarësuar në Nato dhe është pranuar si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çfarë ndikimi mendoni se do të kenë zgjedhjet e tanishme për realizimin e reformave të duhura për këto integrime?

Rufi Osmani: Mendoj se kriteret bazë për integrim të Maqedonisë dhe të vendeve të Ballkanit Perendimor në Unionin Evropian dhe në Nato janë politike, ekonomike dhe të demokracisë dhe nga ky këndvështrim kriteri bazë, kriteri politik që lidhet me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike që është kushti bazë për anëtarësim në Nato dhe në Unionin Evropian, nëpërmjet veprimeve skandaloze të kësaj natyre nuk do të përmbushet dhe për pasojë në se nuk ndodh një paqësim dhe do të thosha një kulturim politik i këtyre partive që janë në një konflikt të kësaj natyre, atëhere fatura do ti faturohet Maqedonisë, proceset e integrimit euro-atlantik me siguri do të vonohen dhe krejt këto procese koston do t’ja faturojnë për fat të keq popullësisë e cila është në një situatë të mjerueshme ekonomiko-sociale.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, marrëveshjet e Ohrit tashmë mund të quhen pothuajse të zbatuara. Sa ka ndryshuar gjendja e komunitetit shqiptar pas tyre?

Rufi Osmani: Marrëveshja e Ohrit mund të quhet kryesisht e implementuar në aspektin juridik dhe normativ mirëpo nuk ndaj këtë bindje në aspektin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në sektorin publik, në aspekt të përdorimit adekuat të gjuhës shqipe në nivel zyrtar dhe në aspekt të pjesmarrjes së shqiptarëve si qytetarë dhe të institucioneve të tyre në financat publike. Janë këto tre segmente të cilat do të duhet të marrin një rrugëzgjidhje të drejtë në mandatin e ardhshëm qeveritar. Mirëpo parë nga këndvështrimi i cilësisë së kandidaturave që janë nominuar në partitë më të mëdha politike shqiptare në këto zgjedhje shpreh shqetësim se menaxhmenti i ardhshëm politik do të vuaj nga mangësitë dhe jo profesionalisteti i duhur që janë kusht bazë për implementim të suksesshëm të marrëveshjes së Ohrit në të gjitha dimensionet. //rd//

XS
SM
MD
LG