Lidhje

Kosovë: Policia heton aktet e vandalizmit në një varrezë serbe


Policia në Kosovë po heton aktet e vandalizmit në një varrezë serbe në një fshat në pjesën qendrore të Kosovës. Autoritetet thonë se vandalët shkatërruan 16 gurë varri në fshatin Gracka e Vjetër, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës. Agjencia e lajmeve Associated Press citon përfaqësues të serbëve në atë zonë, sipas të cilëve vandalët u futën dje në mëngjes në varreza.

Në një tjetër incident, policia thotë se një ish-i zhvendosur serb, i kthyer kohët e fundit në Kosovë, u gjet dje i qëlluar për vdekje në shtëpinë e tij në qytetin Klinë. Policia dhe burime serbe i thanë agjencisë së lajmeve se trupi i viktimës 68-vjeçare të qëlluar me një plumb në qafë e kishte gjetur një fqinj të martën.

Në një tjetër zhvillim, prefekti i komunës së Zvecanit, Dragisha Miloviç, i tha sot pasdite Zërit të Amerikës se ai nuk ka deklaruar asnjëherë se është bërë rekrutimi i ish-pjesëtarëve të ushtrisë jugosllave për të mbrojtur serbët në veriun e Kosovës.

Ai tha se pas takimit që kanë zhvilluar më herët me të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahstisari, kuvendet komunale në veri kanë vendosur të themelojnë komitetin për veprim në raste urgjente.

"Anëtarë të këtyre komiteteve janë qytetarët e këtyre komunave, që kanë vetëm një detyrë, që të merren me informim, nëse shohin persona të panjohur në hapësirat e komunave tona. Kjo është e vërteta dhe nuk ka kurfarë formacionesh të tjera nga Serbia", tha Dragisha Miloviç, i cili bëri thirrje që policia dhe organet e drejtësisë në Kosovë të punojnë në mënyrë më të frytshme dhe më mirë se deri tani. //lk

XS
SM
MD
LG