Lidhje

BE, thirrje kryeministrit serb Koshtunica të mos fajësojë bllokun për dështimet e qeverisë së tij


Bashkimi Evropian i bëri thirrje kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica të mos fajësojë më bllokun evropian për dështimet e qeverisë së tij.

Një zëdhënëse e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, thotë se mendon që ka ardhur koha që Serbia dhe udhëheqësit e saj të përmbushin kushtet për të vendosur lidhje më të ngushta me Bashkimin. Ajo i cilësoi si “jo serioze” përpjekjet e Kryeministrit Koshtunica për të fajësuar Bashkimin Evropian për problemet e vendit të tij.

Në fillim të javës, kryeministri serb Koshtunica kritikoi politikat e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë si shumë të gabuara dhe tha se kanë dhënë vetëm rezultate negative. Ai përmendi në veçanti vendosjen e kushteve të vazhdueshme për forcimin e lidhjeve të Serbisë me Bashkimin Evropian.

Blloku evropian pezulloi muajin e kaluar bisedimet që kishte planifikuar të fillonte për lidhjet me Serbinë, si rrjedhojë e dështimit të Serbisë për të arrestuar dhe ekstraduar ish-komandantin serb të Bosnjes Ratko Mlladiç.//lk

XS
SM
MD
LG