Lidhje

Lajon: Në se do të ketë një rezolutë të re për Kosovën, ajo do të duhet të jetë e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare.      

  • Intervistoi: Konda

Në një intervistë për "DItarin", analisti pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Xhejms Lajon, tha se bashkësia ndërkombëtare po punon për shpjetimin e zhvillimeve në Kosovë, nuk do t’i lerë më gjërat të zvarrisen dhe se deri në fund të këtij viti mund të ketë një përparim paraprak drejt përcaktimit të statusit të saj. Ai tha se Serbia është shumë e izoluar, se ajo jeton në një realitet virtual, kur është fjala për mitin e Kosovës dhe se do ta ketë të vështirë të dalë nga ky realitet virtual në botën reale.

Zëri i Amerikës: Duket qartë se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit nuk po çojnë në ndonjë rezultat në zgjidhjen e statusit të Kosovës. A shikoni ndonjë mundësi që bashkësia ndërkombëtare do të arrijë ta zgjidhë këtë çështje sipas afatit të parashikuar, deri në fund të vitit?

Xhejms Lajon: Siç e kemi parë, kohët e fundit është ushtruar trysni ndaj zotit Çeku dhe ndaj zotit Koshtunica. Jam i sigurtë se kjo është një shenjë që bashkësia ndërkombëtare do t’i shpejtojë gjërat dhe ajo kërkon në veçanti që Beogradi ta kuptojë seriozitetin e bisedimeve dhe qëllimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta çuar përpara statusin e Kosovës. Duket se bashkësia ndërkombëtare po punon për shpjetimin e ngjarjeve dhe nuk do t’i lerë më gjërat të zvarrisen. Unë parashikoj se ne ndoshta do të kemi një përparim paraprak drejt përcaktimti të statusit deri në fund të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Disa muaj më parë Grupi Ndërkombëtar i Krizave arriti në përfundimin se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të përgatitet për mundësinë e imponimit të një zgjidhjeje për Kosovën. Tani, pas gjashtë raunde bisedimesh, që duket se nuk kanë patur rezultat, e jeni i mendimit se ka ende hapësirë për kompromis?

Xhejms Lajon: Duhet të kuptojmë se raundet e para të bisedimeve u përqëndruan plotësisht tek decentralizimi dhe jo tek stastusi, me fjalë të tjera, bashkësia ndërkombëtare është përpjekur që shqiptarët dhe serbët të arrijnë në një marrëveshje, se si duhet të jenë strukturat administrative në Kosovë, në se realizohet, apo jo pavarësia; por ata duan që të arrihet një marrëveshje në fushat politike, ekonomike dhe administrative. Përsa i përket një zgjidhjeje të imponuar, e gjithë bashkësia ndërkombëtare, edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave, uron të shohë një zgjidhje e cila të arrihet nga një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve, pra që të dyja palët të bëjnë kompromise. Megjithatë, duke patur parasysh polarizimin ekstrem të të dyja palëve, duke patur parasysh realitetin politik, është e vështirë të shohim që të dyja palët do të arrijnë në një marrëveshje. Deri tani, kjo nuk duket e mundur, ngaqë shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 90 për qind të popullsisë kërkojnë pavarësinë; në anën tjetër, Serbia e refuzon këtë me çdo kosto dhe duket se nuk ka agjë që bashkësia ndërkombëtare, apo shqiptarët t’u ofrojnë serbëve, për ta bërë të lehtë arritjen e pavarësisë. Kështu, në se do të ketë një rezolutë të re për Kosovës, duket se eventualisht ajo do të duhet të jetë e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ekziston një mendim i përgjithshëm për ndikimin negativ që mund të ketë statusi i pasqaruar si për Kosovën, edhe për Serbinë. Në këto kushte a ju duket se udhëheqësit serbë po vazhdojnë ta izolojnë veten nga bashkësia ndërkombëtare?

Xhejms Lajon: Ekziston një konsensus shumë i forte se Serbia, thjesht nuk e kupton gjendjen diplomatike në botë, se ajo nuk i kupton marrëdhëniet mes BE-së, SHBA-së, Rusisë, Kinës, anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit. Ekziston një ndjejnjë e fortë se Serbia është shumë e izoluar dhe se jeton në një realitet virtual, kur është fjala për mitin e Kosovës. Do të jetë e vështirë që ajo të shihet të dalë nga ky realitet virtual në botën reale. Pra, është tepër e vështirë të shihet se si do ta bëjnë lëvizjen e mëtejshme politikanët serbë, sepse mënyra si ata e kuptojnë realitetin, diplomacinë Perëndimin, Këshillin e Sigurimit dhe mënyrën se si funksionin diplomacia, duket jashtëzakonisht e kufizuar.

Zëri i Amerikës: Maqedonia është tani një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Çfarë ndikimi mendoni se do të kenë zgjedhjet e 5 korrikut në realizimin e reformave të nevojshme drejt anëtarësimit?

Xhejms Lajon: Nuk mund të shprehem para se të shoh rezultatin e zgjedhjeve. Ato po kontestohen së tepërmi. Për herë të parë BE-ja po ushtron presion të madh ndaj qeverisë maqedonase, që të mbajë zgjedhje të drejta dhe të lira. Duket se qeveria maqedonase ka ndërmarë disa hapa. Ato nuk janë tërësisht të kënaqshme, por përderisa hapat që janë marrë kanë qenë në drejtimin e duhur, do të marrë pak kohë derisa Maqedonia të reformojë ligjin e vet elektoral dhe kjo nuk do të jetë reforma e vetme. Jam e sigurtë se do të ketë edhe reforma të tjera nën trysninë e BE-së. Mendoj se fakti që zgjedhjet po mbahen në një ambjent më të lirë, kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e Maqedonisë. Ne kemi parë se disa nga partitë politike të Maqedonisë, partitë maqedonase dhe ato shqiptare, do të duhet ta përmirësojnë mënyrën se si zhvillojnë fushatë dhe mënyrën se si i fitojnë votat, për shkak të ndryshimeve në ligjin elektoral.

XS
SM
MD
LG