Lidhje

Presidenti Bush: Kryengritja kundër komunizmit në Hungari, një mësim i mirë për botën


Presidenti Bush thotë se kryengritja e vitit 1956 në Hungari kundër komunizmit, ofron një mësim të mirë për botën. Siç njofton nga Budapesti korrespondentja e Zërit të Amerikës, Presidenti i bëri këto komente sot në Hungari ku qëndroi për vizitë.

Presidenti mbajti një fjalim në kodrën Gellert, që ngrihet mbi qytetin e Budapestit, duke vështruar mbi ujrat e Lumit Danub që ndan qytetin më dysh. Ndërsa ai po bëhej gati të mbante fjalimin, në atmosferë dëgjohej jehona e para 50 vjetëve, kur shpresa e banorëve që ngritën krye u shyp me gjak.

Më 4 nëntor të vitit 1956, tanket sovjetike hynë në Budapest për të shtypur kryengritjen kundër komunizmit, që kishte filluar vetëm disa ditë më parë, më 23 tetor. Kryeministri Imre Nagi, e njoftoi ndërhyrjen përmes një fjalimi në radio. Forcat sovjetike e bombarduan Budapestin me mortaja nga kodra Gellert, jo shumë larg nga vendi ku qëndroi sot Presidenti Bush.

"50 vjet më parë në këtë kodër u shkrua historia”, -tha Presidenti.

Presidenti shtoi se populli hungarez, shpalli lirinë në rrugët e qytetit, por ushtria e kuqe ia rrëmbeu atë.

“Ata e shtypën kryengritjen hungareze, por jo etjen e popullit hungarez për liri.”

Perëndimi nuk iu përgjigj thirrjeve për ndihmë në atë kohë. Presidenti tha se ky është një mësim i mirë: se ata që janë të lirë, duhet të ndihmojnë ata që kërkojnë lirinë. Ai tha se sakrificat e mëdha të hungarezëve në vitin 1956, shërbejnë si shembull për botën e sotme.

“Ju e dini se rruga e demokracisë nuk është e lehtë. Por ju po vazhdoni të merrni vendimet e vështira që janë të nevojshme për të patur sukses.”- tha Presidenti.

Presidenti vuri në dukje se Hungaria po ndihmon në Ballkan, në Irak dhe në Afganistan. Hungarezët, tha ai, i njohin shumë mirë vështirësitë me të cilat ndeshet sot Kryeministri i Irakut Nuri al-Maliki.

“Demokracia e re irakiane ende ndeshet me armiq të vendosur, me njerëz që përdorin dhunën dhe mizoritë për ndaluar marshimin e lirisë. Mposhtja e këtyre armiqve do të kërkojë sakrifica dhe durim të vazhdueshëm, atë durim që treguan hungarezët në vitin 1956.” - tha Presidenti.

Fjalimi i sotëm ishte i fundit i turneut të shkurtër të presidentit në Evropë. Ndalesa e tij e parë ishte Vjena, për takimin me udhëheqësit e Bashkimit Evropian. Takimi u përqëndrua kryesisht tek Irani, çështjet tregëtare dhe energjitike, si dhe tek fati i burgut amerikan të Guantanamos.//lk

XS
SM
MD
LG