Lidhje

Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, viziton Brukselin


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndodhet në Bruksel, ku informoi sot Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Parlamentit Evropian lidhur me përpjekjet e qeverisë së tij për zbatimin e reformave të domosdoshme. Këto komente zoti Berisha i bën në kuadër të raundit të parë të negociatave teknike me Bashkimin Evropian, pas nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim asociimit.

Kryeministri Berisha tha se integrimi në Bashkimin Evropian është për shqiptarët projekti më i madh i shekullit të 21-të. Ai e cilësoi marrëveshjen e stabilizim associmit si harta rrugore e Shqipërisë drejt kësaj të ardhmeje. Kryeministri shqiptar tha se gjatë 9 muajve të para në pushtet, qeveria e tij ka zbatuar një numër reformash: Përparësia, tha ai, është konsolidimi i shtetit ligjor, i cili është kushti bazë i çdo nisme reformash; konsolidimi i institucioneve demokratike, shkatërrimi i sistemit të korrupsionit, dhe lufta pa asnjë lëshim kundër krimit të organizuar, ndërkohë që respektojmë plotësisht liritë individuale dhe ato të medias.

“Unë erdha këtu për të paraqitur Shqipërinë, përpjekjet e saj, përpjekjet e mëdha të qeverisë për të zbatuar marrëveshjen e stabilizim asociimit si një kontratë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve e të Shqipërisë.”

Zoti Berisha u bëri thirrje vendeve anëtare të komisionit të Parlamentit Evropian që ta ndihmojnë Shqipërinë në reformimin dhe konsolidimin e drejtësisë institucionale. Kryeministri shqiptar përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, ndërsa hodhi poshtë idenë e bashkimit territorial me vendin e tij.

“Të gjithë në Prishtinë mendojnë se si të bashkohen me Brukselin dhe jo me Tiranën. Dhe kjo është një meritë e madhe e Ibrahim Rugovës. Gjatë 25 vjetëve të fundit, shqiptarët e Kosovës, luftuan, dhanë jetën, madje edhe votuan për pavarësinë e Kosovës dhe unë e mbështes dhe e respektoj ëndrën dhe zgjedhjen e tyre.”

Zoti Berisha e cilësoi si shumë të madh përparimin që ka bërë Kosova. Ndërtimi i institucioneve në Kosovë, shtoi ai, është bërë në bazë të standarteve të larta dhe me ndihmën e ekspertizës më të mirë ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG