Lidhje

Ndërsa afrohet 5 vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, vazhdojnë operacionet në kërkim të Osama bin Ladenit


Në dhjetor të vitit 2001 aeroplanët amerikanë goditën me bomba dhe raketa Tora Borën në malet e Afganistanit lindor.

Në atë zonë, Osama bin Ladeni dhe rreth 1 mijë luftëtarë të tij me familjet e tyre tërhiqeshin për t’u shpëtuar forcave speciale amerikane dhe mijëra luftëtarëve afganë, që përpiqeshin t’i shkatërronin ata.

Oficeri në pension i CIA-s, Gary Bernsten kryesoi një forcë të vogël luftarake, që përdori rezet lazer për të drejtuar sulmet e shumta ajrore kundër terroristëve të al-Kaidës.

“Ndërmora sa më shumë rreziqe që munda. Bëra të pamundurën; njerëzit që kisha nën komandë ndërmorën shumë rreziqe. Ne shkatërruam një pjesë të madhe të forcave të tij në Tora Bora dhe në fund të fundit mund të them se bëra ç’ishte e mundur.”

Gary Bernsten jep hollësi mbi operacionin kërkimor për bin Ladenin në librin e tij Jawbreaker, që është emri i koduar për ekipin e tij të komandove, që luftuan me forcat e Aleancës Veriore për të mposhtur Talebanët dhe për të shkatërruar infrastrukturën e al-Kaidës në Afganistan.

Që prej fundit të vitit 2001, mijëra trupa amerikane kanë kërkuar për terroristë të al-Kaidës dhe mbeturinat talebane në anën afgane të kufirit me Pakistanin.

Qeveria në Islamabad ka dislokuar 80 mijë ushtarë në atë rajon, ndërkohë që disa udhëheqës të lartë të al-Kaidës janë kapur në Pakistan.

John Pike, drejtor i faqes për informacion ushtarak, Global Security.org, thotë se rajoni ku mendohet se fshihet bin Ladeni i vështirëson shumë përpjekjet për kapjen e tij.

“Është një zonë shumë malore, me male dhe lugina. Në atë zonë banojnë njerëz tepër besnikë për fiset e tyre dhe të huajt nuk janë të mirëpritur. Kjo është një zonë ku pikpamjet e bin Ladenit gëzojnë mbështetje dhe simpati të madhe.”

Gjatë një udhëtimi në Afganistan këtë vit, presidenti Bush shprehu besimin se bin Ladeni do të nxirret para drejtësisë.

Zoti Bush tha se forcat ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe Afganistani janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për kapjen e udhëheqësit terrorist dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Përveç njësive ushtarake në teren, analistët thonë se në operacionet për kapjen e bin Ladenit përdoren satelitët, aeroplanë të pajisur me raketa, mbikqyrja e komunikimit dhe forcat e zbulimit.

Megjithatë, thotë gjenerali i ushtrisë afgane, Sher Karimi, nuk është e lehtë të kapen individë ose grupe të vogla luftëtarësh sepse ata mbrohen si në Afganistan edhe në vendet fqinje.

“Pra do të duhet kohë. Nuk është e lehtë të eliminohen njerëz të tillë. Është njësoj sikur të kërkosh një gjilpërë në kashtë.”

Udhëheqësit e ushtrisë amerikane thonë se po vazhdojnë përpjekjet për të luftuar al-Kaidën dhe për të gjetur bin Ladenin.

Komandanti amerikan i forcave të koalicionit në Afganistan, gjenerali Karl Eikenberry, thotë se operacioni për kapjen e bin Ladenit vazhdon të jetë përparësi kryesore.

“Bin Ladeni është vetëm një individ. Megjithatë ne duhet ta gjejmë atë në mënyrë që të mbyllim si të thuash kapitullin e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky është një angazhim, që ne i përmbahemi çdo ditë dhe nuk do të pushojmë deri sa ta gjejmë, ta kapim ose ta vrasim atë.”

Shtetet e Bashkuara ofrojnë 25 milion dollarë për informacione që çojnë në kapjen e bin Ladenit, madje zyrtarët amerikanë premtojnë të vazhdojnë pa pushim operacionet për kërkimin e njerit më të kërkuar të botës. //ze//

XS
SM
MD
LG