Lidhje

Ambasadori Uisner: Komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të vendosura ta zgjidhin çështjen e Kosovës, këtë vit, gjatë 2006

  • Arben Xhixho

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, ambasadori Frenk Uisner, pohoi në një intervistë për Zërin e Amerikës se komuniteti ndërkombëtar është i vendosur që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. Zoti Uisner, ritheksoi se po aq i rëndësishëm sa statusi është edhe struktura e ardhshme që do të ketë Kosova.

Zëri i Amerikës: Zoti Wisner, sipas njoftimeve pritet që negociatat për statusin përfundimtar të fillojnë muajin tjetër. Çfarë formule do të ndiqet për to.

Amb. Uisner: Negociatat ka disa muaj që po zhvillohen. Çështjet që janë trajtuar deri tani janë baza ndërtuese e së ardhmes. Për shembull çfarë strukture do të ketë pushteti lokal që t’u japë pakicave në Kosovë, Kosovën e së ardhmes? Çfarë mbrojtje do të ketë për kishat? Çfarë kornize ekonomike do të ketë Kosova? Këto të gjitha janë pjesë e asaj që pritet të jetë struktura përfundimtare e Kosovës. Hollësitë ende nuk janë hartuar. Presidenti Ahtisari synon të vazhdojë procesin dhe të arrijë një marrëveshje sa më të plotë që të mundet, mbi këto blloqe ndërtimi që sapo përmenda dhe më pas të ulë së bashku udhëheqjes e Serbisë dhe të Kosovës, për të parë në se mund të arrihet një konsensus, për të marrë më pas vendimet që lidhen me statusin përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Siç dihet të dyja palët kanë kërkesa plotësisht të kundërta. Shqiptarët kërkojnë pavarësi, Beogradi, kërkon që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar u ka kërkuar të dyja palëve të bëjnë kompromis. Për disa muaj ju jeni takuar me të dyja palët. A mendoni se ka vend për kompromis dhe në çfarë fushash?

Amb. Uisner: Deri tani, zoti Ahtisari ka punuar për elementët përbërës. Pa dyshim që ka dallime, por ka edhe pika të përbashkëta për një numër gjerash të rëndësishme për pushtetin komunal, për kishat, për trashëgiminë kulturore. Dallimet nuk janë aq të thella. Është e vërtetë se kur të diskutohet forma që do të ketë statusi përfundimtar, dallimet do të jenë të qarta; pala shqiptare me pavarësinë si alternativën e saj dhe pala serbe, në favor të gjithshkaje tjetër, me përjashtim të pavarësisë. Por nuk jemi ende aty. Kjo pikë, kur të diskutohet statusi përfundimtar, do të bëhet më pas. Por komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta zgjidhin çështjen e Kosovës, këtë vit, gjatë 2006.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se zgjidhja pritet këtë vit. Por kanë kaluar 6 muaj dhe ende nuk është hapur çështja më e vështirë, ajo e statusit përfundimtar. Të dyja palët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga qënrimet e tyre. A është komuniteti ndërkombëtar i përgatitur për një plan B, alternativ?

Amb. Uisner: Nuk ka plan B, por vetëm një plan: arritja e marrëveshjes. Cilidi qoftë rezultati, ne do të kemi një shoqëri të qëndrueshme, funksionale, që ofron mbrojtjen përkatëse për pakicat. Po ashtu komuniteti ndërkombëtar do të jetë i pranishëm në të ardhmen, si në strukturat e sigurisë, ku do të jetë pa dyshim aleanca e Natos, si dhe do të ketë një prani ndërkombëtare civile. Këto do të jenë elementë përbërës të statusit përfundimtar. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për këtë. Zoti Ahtisari po ecën në këtë drejtim dhe ne do të punojmë për të arritur objektivin tonë.

Zëri i Amerikës: Deri tani është folur shumë për pavarësinë, por pavarësia mund të ketë forma të ndryshme. A do të ishte e drejtë të thuhej se pavarësia pa sovranitet, mund të cilësohej si një lëshim që po bën pala shqiptare?

Amb. Uisner: Deri tani e keni vënë re se gjatë gjithë intervistës, unë flas për status përfundimtar, pa përmendur formën konkrete që mund të marrë statusi përfundimtar. Kjo çështje e diskutuar në Grupin e Kontaktit, nuk është ende për konsumim publik. Unë kam pikëpamjen time për këtë çështje, por ajo nuk ka rëndësi. Çështja që shtrohet sot është të krijojmë strukturën e një Kosove të qëndrueshme, pjesë e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, që do të krijonte bazën e një shoqërie funksionale që mund të zhvillohej në një partner të plotë të familjes evropiane. E kuptoj përqëndrimin e pyetjeve tek pavarësia, por ka shumë gjera të tjera më të rëndësishme se sa thjesht pavarësia. Fjala është për të ardhmen, mbijetesën e kësaj njësie, si pjesë e familjes evropiane.

Zëri i Amerikës: Shqiptarëve u është kërkuar gjithmonë të marrin masa për të garantuar mbrojtjen e pakicave, veçanërisht të pakicës serbe. Cili është vlerësimi juaj për gjendjen e kësaj pakice?

Amb. Uisner: Ka mendime të ndryshme brneda vetë komunitetit serb në Kosovë. Ka nga ata që duan të kthehen në instuticionet e Kosovës. Ka nga ata që nuk duan të marrin pjesë. Pikëpamja ime, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se banorët serbe duhet të jenë të lirë, nga çdo kërcënim, apo presion, ngado që të vijë ai, nga Beogradi, apo nga vetë bashkëqytetarët e tyre. Ata duhet të bëjnë atë që u thotë ndërgjegja. Ata duhet të jenë të lirë të marrin pjesë në institucione në se dëshirojnë dhe JO në se nuk dëshirojnë.

Zëri i Amerikës: Komuniteti ndërkombëtar nuk ka qënë në gjendje ta integrojë pjesën veriore të Kosovës me pjesën tjetër të vendit. Çfarë zgjidhje pritet për këtë rajon në të ardhmen? A do të shohim aty krijimin e një njësie si Republika Serbska, apo do të ketë ndarje? Pasi integrimi deri tani ka dështuar.

Amb. Uisner: Unë do të theksoj vetëm parimin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Gjithë komuniteti ndërkombëtar ka një pikëpamje se Kosova nuk do të copëtohet. Kosova nuk do të ndahet. Asnjë pjesë e saj nuk do të mbetet jashtë. Kosova duhet të mbetet e pandarë. Kjo nuk ndryshon. Mënyrat teknike për të integruar komunitetet mbetet për t’u zgjidhur gjatë negociatave. Situata në veri të Mitrovicës nuk është normale. Veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës, por gjetja e rrugëve që banorët e asaj zone të fillojnë të bashkëpunojnë me institucionet në Prishtinë është shumë e rëndësishme. Për momentin është UNMIK-u që drejton gjithë vendin. Dhe pas arritjes së statusit, struktura qeverisëse do të shtrihet në mbarë vendin.

//ze//

XS
SM
MD
LG