Lidhje

Qeveria irakiane vendos ndalim qarkullimin në Bagdad për shkak të dhunës


Qeveria irakiane ka vendosur ndalim qarkullimin në Bagdad për shkak të dhunës që ka përfshirë kryeqytetin dhe gjithë vendin.

Ndalim-qarkullimi u shpall sot pas përleshjeve mes kryengritësve, milicisë shiite dhe forcave amerikane dhe irakiane të sigurimit në afërsi të Zonës së Gjelbërt të fortifikuar mirë në Bagdad. Njoftohet se disa njerëz u vranë në përleshje.

Policia irakiane tha se të paktën 15 persona u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën sot në dy sulme me bomba. Një autobombë shpërtheu në qytetin jugor shiit të Basrës në afërsi të një tregu dhe një pike karburanti duke vrarë të paktën 5 vetë dhe plagosur 10 të tjerë.

Një bombë e dytë shpërtheu jashtë një xhamie në fshatin Hibhib, duke vrarë të pakëtn 12 besimtarë. Ky është i njejti fshat ku nga sulmet ajore amerikane u vra udhëheqësi i al-Qaidës në Irak, Abu Musab al-Zarqawi. Në një zhvillim tjetër, ushtria amerikane tha se trupat e koalicionit vranë katër turistë të huaj dhe plagosën një kryengritës irakian gjatë një sulmi sot në afërsi të Falluxhës, në perëndim të kryeqytetit. //rd//

XS
SM
MD
LG