Lidhje

Një analist i Grupit të Krizave paralajmëron për planin e Beogradit për ndarjen e Kosovës


Kreu i degës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Serbi, James Lyon thotë se qeveria e Beogradit duket se ka si synim ndarjen e Kosovës. Zoti Lyon i bëri komentet e tij dje në një forum në Washington.

Duke folur në Washington, zoti Lyon tha se qeveria serbe ka vendosur të ndjekë linjën e ndarjes së zonave të banuara nga serbë nga ato të banuara nga shqiptarë në Kosovë. Një gjë e tillë është e dukshme, tha ai po të vësh re shtimin e materialeve propagandistike në median shtetërore dhe rehabilitimin e disa ideologëve të kohës së Millosheviçit.

“Qeveria serbe ka bërë aq shumë përgatitje saqë po të ishte në dorën e tyre, do të ishin në gjendje ta realizonin ndarjen e Kosovës menjëherë”.

Meqë bëhet fjalë për një zonë kryesisht të banuar nga serbë, pranë Serbisë, zoti Lyon thonë se praktikisht ndarja është realizuar.

“Gjithë infrastrukturës telefonike i është ndërruar drejtimi nga enklavat dhe nga veriu, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe zonat përreth. Po ashtu edhe infrastrukturës së energjisë elektrike. Siç jemi të gjithë në dijeni, infrastruktura administrative, arsimore, gjyqësore dhe policore varen nga Beogradi”.

Shanset janë që brenda këtij viti Kombet e Bashkuara t’i hapin rrugën pavarësisë së Kosovës me shumicë shqiptare. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku e hedh poshtë idenë se Kosova është praktikisht e ndarë.

“Nuk është e vërtetë. Kosova është e pandarë. Është e vërtetë që në veri shumica është serbe, por UNMIK-u ka autoritet mbi gjithë Kosovën dhe K-Fori është i pranishëm atje”.

Duke folur për Zërin e Amerikës në Washington, zoti Çeku tha se nuk beson që do të ketë një ndarje.

“Ka përpjekje për diçka të ngjashme me ndarjen, nëse ne e pranojmë. Por është vetëm përpjekje. Nuk do të lejohet nga komuniteti ndërkombëtar që ka vendosur që Kosova nuk do të ndahet”.

Bisedimet e Vienës për të ardhmen e Kosovës janë bllokuar, me serbët që nuk pranojnë të diskutojnë për pavarësinë që duan shqiptarët. Në Kosovë ka gjithsej më pak se 100 mijë serbë dhe vetëm gjysma e tyre jetojnë në zonën në kufi me Serbinë.

XS
SM
MD
LG