Lidhje

Irak: vazhdon dhuna, ndërsa kryeministri al-Maliki përgatitet të paraqesë planin e tij të ripajtimit kombëtar


Kryeministri i Irakut Nouri al-Maliki tha se po përgatitet t’i paraqesë parlamentit planin e tij të ripajtimit kombëtar, ndërsa aktet e dhunës vazhdojnë në rajone të ndryshme të vendit.

Policia njoftoi se nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës u vra të shtunën një shef i zbulimit lokal dhe dy rojet e tij në qytetin e Kirkukut në veri.

Në një zhvillim tjetër, autoritete të ushtrisë amerikane thanë se një ushtar amerikan u vra po të shtunën nga një sulm me bombë në qendër të Bagdatit.

Në veri të kryeqytetit në Tikrit, shpërthyen protesta pasi forcat amerikane ndaluan një udhëheqës fetar suni dhe të paktën 2 prej djemve të tij. Ata u liruan pas disa orësh.

Ndërkohë, njoftohet se kryeministri al-Maliki do t’i paraqesë të dielën parlamentit planin e tij të ripajtimit kombëtar.

Zyra e zotit al-Maliki tha se plani me 28 pika do të ofrojë amnisti për disa kryengritës në përpjekje për të sjellë në tryezën e bisedimeve grupet ekstremiste. //ze//

XS
SM
MD
LG