Lidhje

Një gjen i ri mund të ndihmojë në frenimin e kancerit


Shkencëtarët kanë zbuluar një gjen tek pacientët e sëmurë me kancer në mushkëri, nëpërmjet të cilit mund të parashikohet se sa kohë do të mbijetojë pacienti. Kërkuesit thonë se gjeni i ri me sa duket kontrollon nëse kanceri i mushkërive do të përhapet ose jo si dhe shpejtësinë e përhepjes së tij.

Studimi përqëndrohet tek një gjen i quajtur HLJ1. Sipas shkencëtarëve ky gjen është pjesë e mekanizmit mbrojtës të qelizës për të përballuar stresin e jashtëm. Studiuesit zbuluan se nga qelizat e marra nga 71 pacientë me formën më të përhapur të kancerit të mushkërrive, ata që kishin nivelin më të lartë të gjenit HLJ1 jetojnë më gjatë se ata që kanë nivelin e ulët të këtij gjeni ose ata tek të cilët ky gjen nuk ekziston.

Zbulimet e bëra nga profesori Jang i Universitetit Kombëtar në Taivan dhe kolegët e tij janë ende në fazat fillestare, por vlera e tyre ishte e mjaftueshme që ato të publikoheshin nga Revista e Institutit Kombëtar të Kancerit në Itali.

Adriana Albini, zëvendës-drejtoreshë e këtij instituti në Gjenovë të Italisë, thotë se gjeni HLJ1 është i veçantë për faktin se mund të ndikojë në gjendjen e pacientit, duke rritur mundësinë e mbijetesës tek pacientët që kanë fatin të kenë një gjen të tillë aktiv në trupin e tyre.

“Jam e kënaqur nga artikulli, thotë zonja Albini, sepse me sa duket ka një diferencë mbijetese prej 70 përqind të pacientëve që kanë genin HLJ1. Kjo është një diferencë e konsiderueshme, megjithëse sipas autorëve numrat janë ende të vegjël.”

Albini thotë se pa trajtimin me rreze ose të ndonjë forme tjetër, mesatarja e kohës së mbijetesës midis atyre që kanë një gjen aktiv HLJ1 është 4 vjet që nga diagnostikimi, duke u krahasuar me as 2 vjet për pacientët tek të cilët nuk ekziston një gjen të tillë aktiv.

Zoti Jang, autori i këtij studimi thotë se ka shpresa se ky gjen mund të luajë një rol në diagnostikimin e njerëzve me kancer në mushkëri.

“Në qoftë se mund të identifikojmë molekulën që kontrollon ose balancon formën e gjenit HLJ1, atëherë ne mund të ndalojmë formimin e metastazave kancerogjene, thotë zoti Jang.”

Shkencëtarët kanë identifikuar një numër gjenesh të cilët pësojnë mutacione, duke u shndërruar në qeliza kanceroze. P53 është gjeni i tillë më i njohur, por zonja Albini thotë se p53 ndikon në evoluimin e shumë lloj qelizave kanceroze. Ajo shton se gjeni HLJ1 është specifik për kancerin e mushkërive dhe duket se kontrollon përhapjen e sëmundjes në pjesë të tjera të trupit.

“Studimet bëhen jo vetëm mbi qelizat kanceroze, por edhe mbi metastazën dhe ushqimin me gjak të tumorëve. Mendoj, thotë zonja Albini, se po hyjmë në një periudhë të re, po studiojmë kancerin si një sëmundje të të gjithë trupit duke përmirësuar studimet mbi aspekte të ndryshme.”

Pjesë e kërkimeve të profesorit Jang dhe kolegëve të tij është studimi i mënyrave për të stimuluar gjenin HLJ1, për të ndalur rritjen e tumorit, ku ata me sa duket kanë arritur njëfarë suksesi.//ii

XS
SM
MD
LG