Lidhje

Joseph Crowley: Kosova meriton të jetë e lirë dhe e pavarur


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, ligjvënësi Joseph Crowley, dënoi kohët e fundit një reklamë të botur në gazetën Roll Call ku shqiptarët e Kosovës krahasoheshin me talebanët. Në një intervistë me kolegen tonë Isabela Çoçoli, zoti Crowley dënoi edhe një herë fushtatat negative destruktive dhe theksoi se Kosova meriton të jetë e lirë dhe e pavarur.

Zëri i Amerikës: Kongresmen, përse ju shqetësoi aq shumë reklama serbe e botuar në Roll Call, ku shqiptarët e Kosovës krahasoheshin me talebanët?

Joseph Crowley: Meqënëse unë kam një numër të madh shqiptarësh në distriktin tim, në emër të tyre e pashë reklamën ofenduese. Shqiptarët janë qytetarë që respektojnë ligjet e këtij vendi, ata janë shumë pro-amerikanë, por edhe ata që nuk janë shtetas amerikanë janë po aq pro-amerikanë. Dua të theksoj se zgjedhësit shqiptarë në Bronks dhe Kuins janë nga më patriotët që unë njoh. Unë di gjithashtu se shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri kanë të njejtat ndjenja për Shtetet e Bashkuara. Një reklamë që i krahason shqiptarët me talebanët është irituese dhe nxit urrejtjen në një situatë të komplikuar kur diskutohet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mundësia e pavarësisë së saj.

Zëri i Amerikës: A shikoni ndonjë rrezik real nga fushatat negative si kjo për sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës?

Joseph Crowley: Vendi ynë është i hapur për debate dhe njerëzit janë të ftuar të marrin pjesë, përfshirë komunitetin serbo-amerikan, në mënyrë konstruktive, veçanërisht tani që ne po shkojmë drejt marrjes së vendimit për pavarësinë e Kosovës. Por do të thosha se tendenca për t’i etiketuar njerëzit dhe për t’i krahasuar ata me një organizatë që është përgjegjëse për vrasjen e 3 mijë amerikanëve, ndër të cilët edhe kushëriri im i parë, jo vetëm që është e gabuar por edhe kriminale dhe nuk duhet lejuar. Unë e kam të qartë fushatën negative dhe vendin e saj në politikë, por ne po flasim për një rajon të botës ku dhuna është një fakt i njohur, ku njerëzit e kthejnë shprehjen e urrejtjes në veprime me dhunë. Ne si amerikanë duhet të jemi sensitivë lidhur me këtë jo aq në Shtetet e Bashkuara por në vende të tilla si Kosova, Serbia, Shqipëria dhe në vende të tjera të botës, që nuk kanë atë mjedis që sigurt që ne kemi fatin të kemi këtu në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Në raportin e tij para pak ditësh para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Administratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen theksoi se ka ardhur koha që të zgjidhet statusi i Kosovës. A mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv, më të fuqishëm për sa i përket zgjidhjes së kësaj çështjeje në Ballkan?

Joseph Crowley: Para së gjithash dua ta them publikisht se unë kam mbështetur dhe mbështes një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Mendoj se një vendim përfundimtar në Këshillin e Sigurimit do të merret nga fundi i këtij viti. Unë e kuptoj shqetësimin dhe padurimin e atyre që banojnë në Kosovë për statusin e saj përfundimtar, aq më tepër duke patur parasysh vuajtjet nëpër të cilat kanë kaluar banorët e të gjitha komuniteteve që jetojnë atje. Por mendoj se statusi i Kosovës do të përcaktohet së shpejti dhe do të thosha se duhet edhe pak më tepër durim. Do të preferoja që Shtetet e Bashkuara të mbanin një qendim edhe më të prerë lidhur me këtë çështje dhe të dilnin hapur në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Unë e kam të qartë një farë rrezistence që ekziston në Këshillin e Sigurimit, por kam të qartë gjithashtu se shumë përparime janë bërë për të ulur disa nga shqetësimet dhe shpresoj që deri në fund të këtij viti të jetë marrë një vendim për statusin përfundimtar të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kogresmen, ditët e fundit Sekretarja e Shtetit, Kondolica Rajs, priti Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin, Agim Çeku, dhe i përshëndeti ata për angazhimin e tyre për një Kosovë moderne, demokratike dhe shumë-etnike. A mendoni se është koha që Shtetet e Bashkuara të veprojnë po me atë shpejtësi që vepruan në njohjen e pavarësisë së Malit të Zi?

Joseph Crowley: Natyrisht që unë vlerësoj fjalët e mira që vinë nga Sekretarja e Shtetit, dhe mendoj se udhëheqja e Kosovës i meriton ato për mënyrën se si ajo ka bashkëpunuar me misionin e Kombeve të Bashkuar atje për vendosjen e rendit dhe qetësisë. Siç e thashë edhe më parë, do të dëshiroja që administrata amerikane të mbante një qendrim më të vendosur në favor të një Kosove të lirë dhe të pavarur. Dëshira ime është që kjo të kishte ndodhur më parë por shpresoj që deri në fund të këtij viti, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ta marrë në shqyrtim këtë çështje, Shtetet e Bashkuara do të hedhin votën vendimtare për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

XS
SM
MD
LG