Lidhje

Shqipëri: Kryeministri Berisha bën thirrje për fuqizimin e luftës ndaj trafikut të njerëzve

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se përpjekjet për çrrënjosjen e trafikut të qënieve njerëzore janë të pamjaftueshme, prandaj kërkoi që të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit ta kthejnë luftën ndaj këtij fenomeni dhe atë të trafikut në një çështje kryesore. Këto komente Kryeministri i bëri gjatë mbledhjes së Komitetit Shtetëror Antitrafik, ku u diskutua edhe zgjerimi i këtij organizmi edhe në shkallë rajonale.

Qeveria shqiptare i është rikthyer edhe një herë çështjes se luftës kundër trafikut të qënieve njerëzore. Kryeministri Sali Berisha ka përfituar nga një mbledhje e Komitetit të Posaçëm Shtetëror Antitrafik për të kërkuar me forcë angazhim të të gjitha strukturave të specializuara për të luftuar këtë fenomen, ndaj të cilit, siç u shpreh ai, synohet të nisë një etapë e re.

Sipas Kryeministrit, kjo dukuri që nxin më shumë se çdo gjë tjetër imazhin dhe dinjitetin e shqiptarëve, është ende larg së marruri përgjigjen që meriton.

"Përpjekjet tona janë plotësisht të pamjaftueshme, për të çrrënjosur këtë fenomen. Këtu duhet zero tolerancë, dhe vetëm me zero tolerancë ne do mund të përmbysim situatën e papranueshme, do mund të mbrojmë nga rrënimi jetën e këtyre qytetarëve shqiptarë, fëmijë apo vajza"- tha Kryeministri shqiptar.

Në takimin e sotëm, ku merrnin pjesë përfaqësues të organeve të specializuara, por edhe të pushtetit vendor, u diskutua ngritja e komiteteve rajonale të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Kryeministri kërkoi që agjencitë e zbatimit të ligjit të orientojnë punën e tyre, duke patur si objektiv goditjen e këtij fenomeni.

"Të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit do të kenë një detyrë kryesore, luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe drogës. Taksapaguesit shqiptarë për këtë i paguajnë, për këtë paguhen të gjithë zbatuesit e ligjit në Shqipëri. Kjo është çështja e parë në axhendë".

Nga ana e tij, Kryeministri siguroi se qeveria do të mbështesë me të gjitha mjetet këtë luftë. Ai tha se ajo është e gatshme të ofrojë çdo burim buxhetor në këtë përpjekje të shtetit kundër trafiqeve, për të përmirësuar një situatë, të cilën Kryeministri Berisha tha se nuk mund të tolerohet.

"Dua t'ju informoj se qeveria ka qenë edhe është e gatshme të përcaktojë përqindjet e nevojshme të buxhetit për luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është përparësia jonë absolute".- tha ai.

Trafiku i qenieve njerëzore ra ndjeshëm, që kur tre vjet më parë, qeveria e atëhershme i dha një goditje të ashpër industrisë së skafeve. Aktualisht, qeveria e zotit Berisha ka shpallur një moratorium tre-vjeçar, që ndalon lëvizjen e të gjitha mjeteve lundrurese në ujërat shqiptare. Megjithatë, përpjekjet e trafikantëve vazhdojnë, duke përdorur kryesisht dokumente të fallsifikuara, për të kaluar drejt vendeve perëndimore.

XS
SM
MD
LG