Lidhje

Kryeministri Çeku, thirrje qytetarëve të Kosovës të mos përfshihen në punët e brendshme të Maqedonisë

  • Linda Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Qeveria e Kosovës u kërkoi sot qytetarëve të saj që të mos përzihen në asnjë mënyrë në punët e brendshme të Maqedonisë. Duke shprehur shqetësimin e thellë për incidentet midis partive shqiptare në Maqedoni, Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, theksoi se incidentet në Maqedoni po dëmtojnë rëndë sa imazhin e mirë qe ka ndërtuar Maqedonia, po aq edhe legjitimitetin e klasës politike shqiptare në vend.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u bëri thirrje sot qytetarëve të Kosovës, që në asnjë formë të mos përfshihen në punët e brendshme të Maqedonisë. Duke shprehur shqetësimin e thellë për incidentet qe po përcjellin fushatën parazgjedhore në Maqedoni, kryeministri i Kosovës tha se duke treguar pjekuri politike, subjektet politike shqiptare në Maqedoni i bëjnë një shërbim të mirë edhe Kosovës dhe ndihmojnë procesin nëpër të cilin po kalon ajo.

Kryeministri Çeku nënvizoi se incidentet në Maqedoni po dëmtojnë rëndë, sa imazhin e mirë qe ka ndërtuar Maqedonia, dhe po aq edhe legjitimitetin e klasës politike shqiptare në vend. Ato bëhen pengesë në rrugën e vendit drejt integrimit në strukturat euroatlantike, tha kryeministri i Kosovës, duke shtuar se asgjë nuk është më e rëndësishme për Maqedoninë në këtë moment, sesa zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike.

Kryeministri i Kosovës u bëri thirrje udhëheqësve dhe partive politike shqiptare në Maqedoni, që të ngrihen në nivelin e rolit që pritet të luajnë në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë.

Zoti Çeku shprehu gjithashtu besimin se udhëheqësit dhe partitë politike shqiptare në Maqedoni do të dëshmojnë seriozitetin e tyre dhe do të kontribuojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 5 korrikut, përfundimi i suksesshëm i të cilave e afron edhe më shumë Maqedoninë me Evropën, siç theksoi ai.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, iu bëri thirrje partive politike në Maqedoni, sidomos atyre shqiptare, që të distancohen nga aktet e dhunës, dhe i ftoi mekanizmat e rendit që bartësit dhe shkaktuesit e të gjitha këtyre incidenteve t’i kapin dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.

AAK tha se respekton vetëm zhvillimet demokratike gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni dhe i ftoi partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre për një fushatë të qetë e demokratike dhe kultivim të raporteve të qeta politike.//lk

XS
SM
MD
LG