Lidhje

NATO paralajmëron autoritetet maqedonase të marrin masa për të ndaluar incidentet me dhunë


NATO-ja po i paralajmëron autoritetet maqedonase të marrin masa për të ndaluar shpërthimin e incidenteve me dhunë në Maqedoni, në prag të zgjedhjeve parlamentare të javës së ardhshme.

Një zëdhënës i NATO-s tha sot në një konferencë shtypi në selinë e organizatës në Bruksel se një nga kushtet për anëtarësim në NATO është aftësia për të zhvilluar zgjedhje të drejta dhe pa incidente me dhunë.

Ditët e fundit ka patur një numër rastesh me dhunë, në lidhje me fushatën zgjedhore, në prag të zgjedhjeve të 5 korrikut, për të cilat zëdhënësi tha se “nuk po ndihmojnë në përpjekjet e Maqedonisë për t’u pranuar në organizatë”.

Maqedonia dhe vendet fqinje, Shqipëria dhe Kroacia, shpresojnë të anëtarësohen në NATO, mundësisht në vitin 2008. Maqedonia është gjithashtu kandidate për në Bashkimin Evropian, prandaj, edhe zyrtarët evropianë kanë bërë paralajmërime të ngjashme.//lk

XS
SM
MD
LG