Lidhje

Haziri: LDK-ja ka nevojë për një udhëheqje reformatore


Në një intervistë për Ditarin, zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike në Kosovë dhe Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri thotë se kjo parti e cila ka mbetur pa udhëheqës që nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, ka nevojë për një udhëheqje reformatore. Zoti Haziri, thotë se aktulisht nuk ka kritere të qarta për mënyrën e kandidimit brenda strukturave të LDK-së për pozitat udhëheqëse, të kryetarit, kryesisë apo strukturave të tjera, megjithëse më 8 korrik pritet të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të kësaj partie.

Zëri i Amerikës: Zoti Haziri, zhvillimet e brendshme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës si partia më e madhe në vend dhe si anëtare e koalicionit qeveritar, sa ndikojnë në qeverinë e Kosovës?

Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri: LDK-ja është partia që udhëheq me përqindjen e ulëseve në Parlamentin e Kosovës, që natyrshëm si organ më i lartë vendimmarrës reflekton në institucione të tjera dhe në qeveri; është e njëjta pozitë edhe përkundër asaj që ne me partnerin tonë të koalicionit AAK-në dhe grupin 6+, që është nga radhët e minoriteteve në Kosovë kemi arritur pajtimin që kryeministri të jetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. S’do mend se vendimmarrja është e varur gjithmonë në pajtueshmëri me LDK-në dhe shumica e proceseve i kthehen LDK-së. Definitivisht LDK-ja identifikohet në ballë të qytetarëve me progresin ose me dështimet e proceseve që kanë të bëjnë me të mirat, me prosperitetin e njerëzve në Kosovë. Pas ndryshimeve që kanë ndodhur tashmë kjo është kuptuar më drejt dhe po punohet edhe më tutje në definimin e qartë të kësaj pozite ku definitivisht LDK-ja nuk do bëjë asnjë lloj kompromisi me asnjë grupim, me asnjë forcë politike kur është çështja e interesit apo proceseve që duhet të definojnë jetën politike në Kosovë në këto rrethana që po jetojmë.

Zëri i Amerikës: Në datën 8 korrik do të ketë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Lidhjes Demokratike, me sa kemi dëgjuar, do të ketë një Kuvend të partisë, ndoshta do të ketë një kryesi të re të partisë. Tashmë zoti Daci, ish Kryetar i Parlamentit e ka shpallur kandidaturën, që do të jetë kandidat për Kryetar të Lidhjes Demokratike. Cilët do të jenë kundër-kandidatët e zotit Daci?

Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri: Më lejoni që paraprakisht të përmend një çështje që LDK-ja është e vetëdijshme se është bartëse e proceseve në Kosovë. Përmes presidentit Sejdiu ne jemi bartës të statusit të Kosovës, të ardhmes së Kosovës; në Qeveri po ashtu shumicë kritike, shumicë e madhe vendimmarrëse dhe dy te tretat e qeverisjes lokale të komunave, apo të popullatës që jetojnë në komuna udhëhiqen nga LDK-ja dhe ky është realiteti të cilin LDK-ja e ka krijuar si forcë politike e besueshme. Nga ana tjetër, pas vdekjes së liderit dhe themeluesit të LDK-së, kreatorit të vizionit të Kosovës së pavarur dhe të kësaj që e kemi sot, ne arritëm që konform kësaj frymë politike të vendosim drejt, për të sjellë cilësi dhe konsensus brenda LDK-së, i cili ka reflektuar po ashtu një mirëkuptim dhe një konsensus të gjerë brenda forcave politike në Kosovë. Nëse e përmendim zgjedhjen e presidentit Sejdiu, ndryshimet në qeverinë e Kosovës, ndryshimet në Parlament që kanë qenë pjesë e pakos së madhe të vendimeve të vështira që LDK-ja i ka sjellë, mund të them qartë që krejt këto vendime janë sjellë me konsensus brenda familjes së madhe të LDK-së. Ajo familje e madhe është kryesia e LDK-së, janë Kryetarët e Degëve dhe Degët e LDK-së, nëndegët e saja aktive, një shtrirje e madhe; dhe gjithë ata që kanë qenë të preokupuar me zhvillimet në Kosovë e kanë identifikuar se LDK-ja është një familje e madhe politike që është unifikuar dhe është një institucion politik në të njëjtën kohë. Tani më 8 korrik ne do të diskutojmë, zgjedhjet në LDK; nuk pres personalisht asgjë të veçantë që do të ndodhë, aq më pak do të ndodhin zhvillimet që kanë të bëjnë me organizim të LDK-së. Unë pres një mbështetje të madhe të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për politikat e Kryesisë së LDK-së që kanë të bëjnë me zgjedhjet, me kriteret që janë shumë rigoroze, me ndryshimet në statusin e LDK-së dhe me orarin, me tabelarin e zgjedhjeve brenda LDK-së. Deri më 8 korrik nuk ka kritere të qarta për mënyrën e kandidimit brenda strukturave të LDK-së për pozitat udhëheqëse në LDK, qoftë ajo e Kryetarit të LDK-së, e Kryesisë së LDK-së, apo e Kryetarëve të Degëve, sepse si një strukturë shumë të rëndësishme në organizimin tonë, kemi degët që janë në nivel komunash dhe nënstrukturat e tyre në nivel edhe më të ulët, andaj Kryesia do të punojë që me Këshillin e Përgjithshëm të definojë mënyrën e konkurrimit për këto zgjedhje dhe absolutisht ne jemi për një konkurrencë të hapur. Ne brenda LDK-së do të konkurrojmë siç kemi konkurruar edhe për zgjedhje në nivel lokal dhe qendror, nacional me partitë opozitare. Pse jo një frymë konkurruese brenda LDK-së me programe me vizion tregues të qartë sesi mund të udhëhiqej një proces politik nga ana e LDK-së në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Me sa kuptoj unë ju mbështetni një udhëheqës të ardhshëm reformator të Lidhjes Demokratike i cili do ta përgatisë partinë për kohën pas statusit.

Zëvendëskryeministri Lutfi Haziri: Absolutisht, një udhëheqje reformatore me vizion të qartë se si do ta reformonte LDK-në, sesi do ta profilizonte politikisht LDK-në, dhe s’do mend se ne deri tash e kemi mbajtur një qendër politike të vazhdueshme e cila ka sublimuar karakteristika dhe profile të ndryshme politike, por është momenti kritik ku LDK-ja duhet të definohet në profilizim të qartë politik dhe këtë sfidë të rëndë të reformimit dhe të profilizimit, lidershipi që do të zgjidhet në tetor-nëntor të këtij viti duhet ta marrë si detyrë kryesore. Jashtë këtyre kontureve, unë nuk jam i gatshëm as të marr pjesë as të mbështes askënd tjetër sepse LDK-ja nuk do të arrijë të sfidojë problemet që do të ketë në gjendjen e pas-statusit dhe nuk do të arrinte të ecte politikisht në të ardhmen që e ka ndërtuar vetë.

XS
SM
MD
LG