Lidhje

Tymi i duhanit mund të jetë po aq i dëmshëm edhe për ata që nuk e pinë


Një raport i ri mjekësor thekson se tymi i duhanit mund të jetë po aq i dëmshëm për ata që nuk pinë duhan, sa edhe për ata që pinë dhe se ndarja e restoranteve dhe klubeve në seksione për pirësit e duhanit dhe për ata që nuk pinë duhan nuk jep rezultat.

Zyrtari më i lartë i Shteteve të Bashkuara për mjekësinë e nxori dje raportin, ku thuhet se vetëm ndërtesat apo mjediset publike ku nuk lejohet aspak pirja e duhanit i mbrojnë personat që nuk pinë duhan nga pasojat e dëmshme të tymit.

Raporti thekson se fëmijët janë më të rrezikuar nga pasojat e tymit të duhanit. Fëmijët në banesa ku prindërit pinë duhan ndeshen me një rrezik më të madh të preken nga sindroma e vdekjes së pashpjeguar të foshnjeve, nga infeksionet e mushkërive dhe nga asma e rëndë.

Një raport i nxjerrë vjet nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përllogariste se tymi i duhanit për ata që nuk pinë duhan shkakton vdekjen e afro 3 mijë vetëve në vit nga kanceri i mushkërive, si dhe të 46 mijë vetëve nga sëmundjet e zemrës. Tymi i duhanit konsiderohet gjithashtu si shkaktar i vdekjes së 430 foshnjave në vit në Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG