Lidhje

Presidenti Bush: trupat amerikane që luftojnë jashtë vendit përçojnë idealet e themeluesve

  • Scott Stearns

Presidenti Bush thotë se trupat amerikane që luftojnë jashtë vendit, po përçojnë idealet e themeluesve të Shteteve të Bashkuara për të luftuar tiraninë dhe jetuar në liri. Por demokratët thonë se trupat amerikane në Irak duhet të kthehen në atdhe, pasi Presidenti Bush nuk ka një plan të qartë për sukses.

Presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij të përjavshëm në radio për të shënuar Ditën e Pavarësisë nga Britania më katër korrik. Për më shumë se dy shekuj, thotë ai, amerikanët kanë shërbyer dhe sakrifikuar për parimet e baballarëve të kombit që nga Revolucioni Amerikan tek malet e Afganistanit.

“Në këtë moment, burrat e gratë në forcat tona të armatosura po përballen me rreziqe në vende të largëta, duke zbatuar misionet e tyre me të gjitha aftësitë dhe nderin që ne pretendojmë nga ata. Dhe familjet po vuajnë nga ndarjet e gjata prej të dashurve tyre me kurajo të madhe e dinjitet. Familjet e trupave dhe ushtarakëve tanë meritojnë gjithë mbështetjen dhe mirënjohjen tonë”.

Presidenti Bush do ta kalojë festën e 4 korrikut me trupat dhe me familjet e tyre në Fort Braggs të Karolinës së Veriut, ku, thotë ai, do t’i falenderojë për shërbimin e tyre për kauzën e lirisë.

Në fjalimin e përjavshëm të demokratëve në radio, kandidati për në senatin amerikan, Jim Webb, tha se është koha për t’i dhënë fund më herët dhe me nder luftës në Irak. Zoti Webb është një nga marinsat e luftës së Vietnamit që ka marrë më shumë dekorata dhe ka shërbyer si Sekretari për Marinën në fund të viteve 80-të në kohën e Presidentit Reagan.

Ai u tërhoq nga Partia Republikane në vitin 2003 për shkak të vendimit të Presidentit Bush për të pushtuar Irakun.

“Kam parë që gjërat të shkojnë mirë dhe keq. Kam besuar me forcë se kur gjërat nuk shkojnë mirë, është përgjegjësi e udhëheqësve që ta pranojnë dhe të ndreqin problemin. Disa thonë se të ngresh zërin kundër luftës, është mungesë besnikërie ndaj trupave. Kushdo që e thotë këtë, duhet të çojë ndërmend se në çfarë kushtesh kalojnë trupat, të cilat dëshërojnë që dikush të thotë të vërtetën”.

Zoti Webb e ka përqendruar pjesën më të madhe të fushatës së tij tek kundërshtimi për luftën në Irak. Ai thotë se është koha për t’i dhënë fund, siç shprehet ai, një angazhimi të pafund në Irak në mënyë që forcat amerikane të kenë zhdërvjellësinë për të përballuar sfida të tjera strategjike, përfshirë Kinën.

Jim Webb konkuron kundër senatorit nga Virxhinia, George Allen, i cili po shqyrton mundësinë që të kandidojë për president në vitin 2008.

Të dyja partitë politike po përqendrohen në garën për senator të Virxhinias, si një nga garat më të rëndësishme të vitit. Kjo garë po bëhet gjithnjë e më agresive, ndërsa dy kandidatët janë angazhuar në sulme personale mbi patriotizmin dhe shërbimin e tyre ushtarak.//ii

XS
SM
MD
LG