Lidhje

Deti Kaspik: Katalizator për konflikt


Deti Kaspik ndodhet në një prej fushave më të madha naftë-mbajtëse dhe gaz-mbajtëse të botës. Në vazhdim një korrespondencë që u hedh një vështrim tensioneve në rritje ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, të cilat po përpiqen të rrisin ndikimin në këtë rajon të trazuar:

Rreth 1 e treta e sasisë së pashfrytëzuar të gazit natyror dhe naftës së botës ndodhet nën Detin Kaspik. Megjithatë ky potencial energjetik mbeti thuajse i paprekur deri në fillim të viteve ’90, kur shumë vëzhgues e cilësuan si Mekën e re të Naftës.

Rajoni ka tërhequr interesin e konsumatorëve më të mëdhenj të energjisë, si Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Japonia, India dhe ndoshta më shumë nga të gjithë, Bashkimi Evropian, i cili brenda vitit 2020 mund të importojë rreth 80% të gazit natyror nga ky rajon. Por sipas analistëve, interesi i Amerikës në këtë rajon nuk lidhet me sigurimin e burimeve energjetike, por me rëndësinë e tij gjeopolitike.

Michael Lelyveld, këshilltar pranë firmës P.F.C Energy, thotë se gjatë Luftës së Ftohtë rajoni rrethohej nga Bashkimi Sovjetik dhe Irani, por tani përbëhet nga një numër shtetesh, përfshirë Rusinë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Turkmenistanin. Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Lelyveld, synojnë t’i ndihmojnë këto shtete që të mos mbështeten tek ndihmat ruse, por të shndërrohen në aleatë të Amerikës: “Në rajonin e Kaspikut ndodhen 5 shtete si dhe Rusia, e cila ka ruajtur të njëjtin qëndrim që kishte gjatë Luftës së Ftohtë. Kur shpallën pavarësinë shtetet e reja, disa prej tyre i drejtuan sytë nga perëndimi për të vendosur rrugët e eksportit larg ndikimit rus. Pikërisht këtu filluan edhe fërkimet që në vitin 1994."

Hugh Barnes, Drejtor i Qendrës E Ardhmja e Programit Rus, për Studimin e Politikave të Jashtme, me seli në Londër, thotë se Rusia dhe Perëndimi po përplasen keq aktualisht lidhur me rrugët më të mira për të furnizuar tregjet perëndimore me naftë dhe gaz nga Deti Kaspik: Barnes “Gjatë dekadës së fundit u krijua një nismë që nuk i shkonte shumë për shtat Rusisë, për të transportuar naftë përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë në portin turk Ceyhan në Detin Egje."

Deti Kaspik është në udhëkryqin e politikave globale energjetike. Këto politika po përjetojnë një periudhë shumë të trazuar me të ardhmen e pasigurtë të naftës irakiane dhe iraniane. Deti Kaspik luan një rol kyç në këtë ekuacion. Tubacioni i sapohapur nga Baku, në Tbilisi dhe më pas në Ceyhan është linja e parë e transportit për naftën e Kaspikut, e cila nuk kalon përmes Rusisë dhe ka fuqinë të transportojë një vëllim prej 1 milion fuçish nafte në ditë.

Ndërkaq, Rusia është prodhuesi më i madh i gazit natyror në botë dhe e dyta për nga vëllimi i prodhimit të naftës. Ajo ka shënuar ritme të fuqishme të ekonomisë, duke u renditur si ekonomia e nëntë më e madhe e botës, dhe e pesta në Evropë. Analisti Lelyveld argumenton se kjo po e ndihmon Moskën për të rritur qëndresën e saj ndaj politikave amerikane dhe evropiane, në veçanti përballë shtrirjes së veprimtarisë ushtarake të Natos dhe Amerikës deri në kufijtë e Rusisë.

“Me fuqizimin e Rusisë, është bërë më e vështirë të përcaktohen qartë kushtet e debatit. Rusia mendon se e ka kapërcyer pozitën e saj të dobët,” thotë zoti Lelyveld.

Rusia, thotë analisti Barnes, është përgatitur të fillojë shantazhin ndaj Perëndimit për ta bindur të luajë në përputhje me rregullat e saj, përndryshe, ajo kërcënon të gjejë klientë të tjerë për rezervat e gazit. Analistët theksojnë se për sa kohë që ekonomitë moderne të varen nga nafta dhe gazi si burimet kryesore energjetike, tensionet dhe konfliktet mbi këto burime ndërmjet Rusisë dhe pjesës tjetër të botës ka të ngjarë të vazhdojnë në Detin Kaspik. //ad//

XS
SM
MD
LG