Lidhje

Arbër Xhaferri: Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bëjnë kompromise me të drejtat e tyre


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Arbër Xhaferi thotë se një fushatë e dhunshme zgjedhore nuk është në interes të askujt, ndërkohë që hedh poshtë thëniet se sjelljet e dhunshme të shqiptarëve në Maqedoni mund të kenë ndikime negative për proceset në Kosovë.

Ai thotë se shteti i Maqedonisë duhet të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike në vend dhe këtu nuk duhet implikuar në asnjë mënyrë Kosovën. Zoti Xhaferi thotë se do të ishte absurde që një parti politike të mbajë përgjegjësi për çdo incident që ndodh brenda shoqërisë. Përgjegjësinë, thotë ai, duhet ta mbajë aparati shtetëror që i ka instrumentet e hetimit.

“Në këto fushata mund të aranzhohen edhe incidente të ndryshme me motive, natyrisht të ditura vetëm për ata që i aranzhojnë këto incidente. Ne si parti politike insistojmë që të largohen njerëzit nga provokimet që zgjedhjet të respektojnë rregullat demokratike dhe të zhvillohen në qetësi dhe paqe. Ky është inetersi ynë partiak, do të thoja edhe njerëzor i çdokujt”.

Zoti Xhaferi analizon një tjetër dukuri; përse te shqiptarët e Maqedonisë ekziston ky nervozizëm, e pse durimi humbet dita ditës. Ai flet për konceptin e të drejtave që u ofrohen shqiptarëve në Maqedoni, për çka thotë se herë ofrohet një e drejtë e herë anulohet, herë u vihet theksi disa të drejtave e herë harrohen ato.

Lidhur me të drejtën e përdorimit të flamurit shqiptar kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Xhaferi thotë se nganjëherë mohohet, nganjëherë zvoglohet a zgjerohet kjo e drejtë. Ai thotë se shqiptarët e Maqedonisë i janë nënshtruar një torture psikologjike me metodologjinë e dhënies dhe të marrjes. I pyetur nëse shqetësohet pas paralajmërimeve se komuniteti ndërkombëtar do të vendosë sanksione gjatë formimit të koalicionit të ri qeveritar për ato parti të cilat kanë çfarëdo lidhje me incidentet e dhunshme në fushatë, kryetari i PDSH-së, Xhaferi thotë se për të përbën shqetësim çdo incident:

“Natyrisht që shqetësohem më shumë se sa komuniteti ndërkombëtar, por duhet ditur se PDSH-ja dhe shqiptarët marrë në tërësi nuk i dëshirojnë këto incidente por duhet analizuar për se vjen deri te incidentet. Duhet të bëhen hetime konkrete kush i pari e nis, pse e nis, pse e nxit, kush e mbështet atë dhe për çfarë qëllimi e bën këtë. Që nga fillimi i zgjehdjeve shumëpartiake në Maqedoni janë bërë vjedhje drastike të votave”.

Për sa i përket druajtjes së shumë shqiptarëve se sjellja e dhunshme e tyre në fushatën e këtushme vonon procesin e pavarësisë së Kosovës, zoti Arbër Xhaferi thotë se ky është një argument i shtirur dhe i prodhuar sipas paragjykimit se shqiptarët ose duhet të jenë të gjithë të mirë ose të gjithë do të pësojnë keq.

“C’lidhje ka Kosova me Maqedoninë? Në njerën anë politikisht merret qëndrimi se Kosova është një rrëfim tjetër, kontekst tjetër shoqëror dhe nuk mund të bëhen implikime kumulative. Pra Kosova i organizon zgjedhjet shumë të rregullta; më të rregullta se të gjitha vendet në rajon; pse dashka Kosova të paguajë taksa për organizim të keq të zgjedhjeve në Maqedoni?"

Zoti Xhaferi thotë se përgjegjësia për organizimin e keq të zgjedhjeve në Maqedoni bie mbi shtetin e Maqedonisë dhe jo mbi Kosovën. Ai thotë se në zgjedhjet e sistemit shumëpartiak të Maqedonisë shpeshherë janë vjedhur votat në sektorin maqedonas dhe se të gjithë presidentët e këtij shteti të zgjedhur nga viti ‘94 e këndej kanë abuzuar me votat e elektoratit.

Lidhur me Marrëveshjejen e Ohrit dhe mirënjohjet e shpeshta nga komuniteti ndërkombëtar për miratimin e saj, zoti Xhaferi i sugjeron komunitetit ndërkombëtar që të provojë t’i ofrojë serbëve të Kosovës modalitetet e kësaj marrëveshjeje për të parë më pas se sa të kënaqur do të dalin ata, serbët.

“Marrëveshja e Ohrit ka ngecje në dy drejtime: në zbatimin ligjor pra në aneksin B, në nxjerrjen e ligjeve dhe zbatimin e ligjeve. Pikat kryesore nuk zbatohen, duke filluar prej gjuhës, modalitetit të decentralizimit përfaqësimit adekuat dhe masave për rikthimin e mirëbesimit të ndërsjellë.”

Ai bën vërejtje për mungesën e trajtimit të ish-luftëtarëve të UÇK-së, dëshmorëve e invalidëve shqiptarë të luftës së vitit 2001. Ai thotë se nuk është ofruar asnjë projekt për risocializimin e kësaj kategorie. Ai thotë se gjuha shqipe nuk është në përdorim zyrtar, përveç në Parlament ku, sipas tij, është krijuar një variant i pëdorimit verbal me kufizime që ai i quan fyese për dinjitetin e shqiptarëve.

Kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi thotë se sipas statistikave, gatishmëria për dalje në zgjedhje është më e madhe te shqiptarët se sa të maqedonasit. Nëse kjo është e saktë, ai shpreson se dalja në zgjedhje e shqiptarëve do të jetë më e madhe.

Zoti Xhaferi nuk shqetësohet për numrin e deputetëve shqiptarë në përbërjen e re parlamentare, por për politikat që zhvillohen. Ai thotë se është e çuditshme dhe e padurueshme që shqiptarët gjithmonë detyrohen në emër të një politike të moderuar që të bëjnë kompromise për të drejtat e tyre ndërkohë që asnjëherë nuk kërkohet të bëhen kompromise me të drejtat e të tjerëve.

“Definicioni është shumë i saktë. Ne jemi të detyruar, jo vetëm në Maqedoni por dhe në Kosovë të bëjmë kompromise me të drejtat tona. Të tjerët fare nuk bëjnë kompromise me të drejtat e tyre!”

XS
SM
MD
LG