Lidhje

Intervistë me Kryetarin dhe me Nënkryetarin e Komisionit Sollaku

  • Intervistoi: Konda

Në Shqipëri, Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur për të verifikuar veprimtarinë e Prokuorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku mbylli sot hetimet e tij dhe nesër pritet që të paraqitet raporti përfundimtar. Përfaqësuesit e opozitës, të cilët e kanë konsideruar një proces politik hetimin ndaj zotit Sollaku, nuk ishin as sot të pranishëm në mbledhje. Përfaqësuesit e shumicës në komision, pritet t'i kërkojnë parlamentit që të votojë për shkarkimin e zotit Sollaku. Por opozita këmbëngul se asnjë provë nuk është paraqitur në komision dhe e cilëson vendimin për Kryeprokurorin si një aksion politik të Kryeministrit Berisha. Për të diskutuar më në hollësi mbi punën dhe gjetjet e komisionit hetimor, Zëri i Amerikës intervistoi drejtpërdrejt në emisionin televiziv “Ditari”, Kryetarin e Komisionit, deputetin demokrat Astrit Patozi dhe Nënkryetarin e tij, deputetin socialist Fatmir Xhafa.

Zëri i Amerikës: Zoti Patozi, pas dy muajsh veprimtarie të Komisionit, a jeni të bindur se keni provat e mjaftueshme për të kerkuar shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm?

Astrit Patozi: Unë mendoj se ne sot i kemi dhënë fund një procesi tepër voluminoz, tepër të lodhshëm, por që gjithësesi ne tani jemi përpara miratimit të një raporti professional, të përgjegjshëm, ku nuk do të ketë as paragjykime personle, por që do të thjesht një pasqyrë e këtyre fakteve dhe provave që kanë dale gjatë heitmit, gjatë këtyre dy muajve, pra. Unë mendoj që jo vetëm politika, jo vetëm Kuvendi i Shqipërisë, por edhe qytetarët shqiptarë kanë qenë tepër të interesuar për këtë proces, pasi Shqipëria në vitet e fundit, ka qenë një vend me një nam tepër të keq, do të thoja, që ka ardhur duke u rritur, për shkallën e lartë të korrupsionit dhe sidomos për lidhjet e zyrtarëve me krimin e organizuar, pra, për atë që konsiderohet si kapja e shtetit. Unë mendoj, që ky process transparent për publikun, pra, ja ka arritur që t’i faktojë qytetarëve, politikës, Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm mënyrën, jo vetëm kapjen e shtetit, pra, për zyrtarë të veçantë, por edhe mënyrën se si ka funksionuar ajo.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, në bazë të dëshmive dhe fakteve të mbledhura nga komisioni, a ka kryer shkelje Prokurori i Përgjithshëm, sipas mendimit tuaj?

Fatmir Xhafa: Nuk e di për çfarë provash flitet, se ne nuk kemi parë të tilla, të paktën në seancat që kemi marrë pjesë dhe ne kemi marrë pjesë në shumicën e seancave të zhvilluara. Biles një nga kontestimet tona thelbësore për këtë proces hetimor është pikërisht mungesa e kërkimit dhe e administrimit të provave. Ligji për komisionet hetimore të Kuvendit e ka përcaktuar qartë se kush konsiderohet provë, se cilat, sipas këtij ligji, kanë vlerë, kur merren dhe administrohen në formën e përcaktuar nga ligji për vetë komisionet hetimore të Kuvendit dhe në çdo rast, kur kjo gjë bëhet nga Komisioni, si një trup kolegjial, por jo nga individë të veçantë. Në këtë çështje, ne kemi patur kurdoherë kundërshtim pikëpamjesh me kolegët tanë të maxhorancës në komision. Me sa duket, nga maxhoranca do të konsiderohen si prova disa gjetje, siç janë quajtur prej tyre, materialet me shkrim, të lexuara në këtë komision nga disa kolegë deputetë të maxhorancës, dhe do të përmend edhe deklaratat në komision të atyre dëshmitarëve, në fakt, personave që janë thirrur si të tillë, por që rezultoi një pjesë të përjashtuar nga radhët e porkurorisë për shkelje të ligjit. Shkurt, do të gjykohet për shkelje të rendë të ligjit Prokurori i Përgjithshëm, sipas një raporti të mbështetur në një process hetimor të realizuar në shkelje të ligjit, me prova të sajuara jashtë kërkesave të ligjit dhe me dëshmitarë të proceduar për shkelje ligji. Kuptohet se cili është gjykimi në këtë rast.

Zëri i Amerikës: Zoti Patozi, që para ngritjes së komisionit, Kryeministri e akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm për lidhje me krimin dhe kërkoi shkarkimin e tij. Opozita ju akuzoi dhe ju akuzon, pra, se vendimi i komisionit parlamentar ishte i paragjykuar qysh më parë. Si u përgjigjeni ju këtyre akuzave?

Zëri i Amerikës: Unë mendoj që kjo është një akuzë që nuk qëndron fare, për shkak se të gjithë politikanët në Shqipëri janë të lirë të bëjnë deklarimet e tyre. Unë përgjigjem vetëm për punën e këtij komisioni, e cila ka qenë krejtësisht e lirë, nga çdo deklaratë dhe nga çdo paragjykim politik. Pa dashur të bëj polemikë me Nënkryetarin e Komisionit, por ne e kemi marrë përgjegjësinë për të çuar deri në fund një punë që na e ka ngarkuar Kuvendi i Shqipërisë, pra, dhe ne pikërisht këtë kemi bërë. Kemi shfrytëzuar të gjitha materialet pulbike dhe të ardhura zyrtarisht nga institucionet e shtetit, në dobi të Komisionit; kemi shfrytëzuar të gjitha dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve që janë paraqitur aty dhe në bazë të këtyre materialeve që kanë qenë të bollshme, pavarësisht se nuk kanë qenë të gjitha, ne kemi arritur në konkluzionet tona, të cilat do t’i shpallim nesër. E rëndësishme është që pretendimet e opozitës janë fare të pabesueshme edhe për një fakt tjetër, sepse opozita ka patur disa qëndrime edhe lidhur me punën e Komsionit, derisa erdhi deri në bojkotin e saj. (për shkak se opozita në fillim nuk deshi që ky komision të ngrihej, pasi ajo e atakoi atë në Gjykatën Kushtetuese; kjo gjykatë e rrëzoi kërkesën e saj, pastaj opozita u përpoq brenda Komisionit që të minojë punën e tij, duke e zvarritur dhe duke e çuar në pozicion punën e komisionit dhe pasi nuk funksionoi kjo taktikë, ajo shkoi në shkallën e fundit, që është ajo e bojkotit, për të cilën unë nuk kam gjë tjetër, veçse keqardhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, opozita socialiste e ka kundërshtuar me forcë procesin për shkarkimin e Kryeprokurorit, megjithatë ky qëndrim i juaji, nuk ka gjetur mbështetje në organizatat ndërkombëtare që ndjekin zhvillimet në Shqipëri. Si e shpjegoni ju këtë mungesë mbështetje nga jashtë?

Fatmir Xhafa: Së pari, nuk jam dakord me pyetjen tuaj, pasi opozita nuk ju drejtua institucioneve ndërkombëtare për t’u shprehur për këtë proces. Dhe së dyti, me sa jam unë në dijeni, institucionet ndërkombëtare janë duke e ndjekur me vëmendje të veçantë dhe biles përfaqësues të tyre kanë ndjekur drejtpërsëdrejti punimet e këtij komisioni. Por natyrisht, ato nuk mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt në punën e komisionit dhe në vendimmarrjen e Kuvendit, sepse nuk është pjesë e detyrës së tyre një gjë e tillë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që përfaqësues të lartë të organizmave ndërkombëtare që asistojnë dhe monitorojnë proceset e integrimit të vendit janë shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështjet e rendësishme që përbëjnë standartet e këtij pushteti, siç janë proceset e ndarjes së pushteteve në Shqipëri dhe nevoja për të patur një process të rregullt, ligjor, të ndërtuar në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në këtë proces hetimor parlamentar. Është pikërisht ajo që në thelb, është kontestuar dhe e kontestojmë edhe ne si opozitë, që në rastin e këtij komisioni hetimor parlamentar, jemi në kushtet e një vendimi politik të paramarrë dhe Komisioni, me mënyrën se si ka proceduar, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka shërbyer si një noterizim parlamentar i vendimmarrjes politike të lidershipit poltik të maxhorancës dhe thelbi u i kontestimit tonë qëndron pikërisht në këtë fakt, që mënyra se si është proçeduar në këtë Komision, është në shkelje të hapur të Kushtetutës, ligjit për komisionet hetimore të Kuvendit dhe natyrisht, edhe procedurave normale parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti Patozi, fakti që opozita e bojkotoi dhe e kundërshton me forcë mënyrën se si është punuar në komision, sa e cënon besueshmërinë për paanshmëri në gjykimin ndaj Prokurorit të Përgjithshëm?

Astrit Patozi: Unë nuk besoj se e cënon, për shkak se opozita e kishte paragjykuar këtë process që në ngritjen e këtij komisioni, që në debatin që u zhvillua në Parlament për ngritjen e këtij Komisioni, prandaj unë nuk gjykoj që bojkoti i opozitës do të cënojë raportin përfundimtar që pritet të miratohet nesër. Ajo që unë dëshiroj të shpreh edhe një here keqardhjen, është fakti që opozita bëri betejë të sajën paligjshmërinë, apo veprimet antiligjore të një zyrtari të lartë të shtetit, në një kohë që përitej që të paktën për çështje kardinale të tilla që kanë të bëjnë me kapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe me shkallën e lartë të korrupsionit, pritej që opozita dhe pozita të kishin të paktën të njëjtin qëndrim. Ne prisnim që përfaqësuesit e opozitës, në këtë komision të bënin edhe gardianin, por gardianin e maxhorancës, pra, për ndjekjen e të gjithë procedurës, por me sa duket, ata as këtë nuk arritën ta bënin.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, çfarë ndikimi do të ketë çështja Sollaku në marrëdhëniet, tashmë të acaruara, me shumicën në pushtet?

Fatmir Xhafa: Opozita, nëpërmjet lidershipit të saj e ka bërë të qartë qëndrimin e vet politik për këtë çështje të cilën e kemi konsideruar një dhunim të Kushtetutës, një ndërhyrje të hapur të pushtetit ekzekutiv në drejtësi dhe natyrisht, një përpjekje për ta vënë këtë pushtet nën kontrollin poli tik të ekzekutivit. Edhe ky proces i ndërtuar dhe i konceptuar me dhunën e kartonave të maxhorancës, natyrisht që e largon më shumë maxhorancën nga mundësia e një koncesusi me opozitën. Si mund të bëhet fjalë për një consensus ndermjet maxhorancës dhe opozites, kur opozitës i dhunohet fjala e saj në këtë komision parlamentar, kur opozita, në mënyrë fare të ligjshme, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, parshtron disa kërkesa, për të cilat, ligji, në mënyrë shumë të qartë, e njeh plotësimin e këtyre kërkesave, pa asnjë lloj votimi nga ana e maxhorancës dhe ndodh që me maxhorancën në komision, me kartonat e saj, rrëzon plotësisht këto kërkesa dhe nuk I jep mundësi opozitës të jetë pjesë e këtij procesi. Do të mjaftonte vetëm ky fakt për ta konsideruar këtë proces, një proces në kundërshtim me standartet ndërkombëtare dhe një proces jo në respekt të zbatimit të ligjit dhe të kushtetutës. Natyrisht, qëndrime të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se e largojnë më shumë frymën e konsensusit dhe mirëkuptimit politik për çështje të rëndësishme; dhe s’ka se si të ketë kur bëhet fjalë për çështje të tilla si shkelje të kushtetutës dhe të ligjit.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, zoti Patozi, ju faleminderit.

Astrit Patozi: Faleminderit juve dhe faleminderit radios suaj që na dha edhe mundësinë që të komunikojmë me zotin Xhafa pas disa ditësh.

XS
SM
MD
LG