Lidhje

Maqedoni: Heshtje zgjedhore në prag të votimeve të 5 korrikut

  • Isak Ramadani
  • Shkup

Në Maqedoni ka hyrë në fuqi heshtja parazgjedhore dhe partitë politike kanë përfunduar me tubimet e tyre. Dy partitë më me ndikim te shqiptarët, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare i dhanë fund fushatës me mitingje në qytetin e Tetovës. Partitë shqiptare premtojnë, mes tjerash, shtimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë, ngritjen e standardit jetësor dhe një mirëqenie ekonomike. Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni mbahen të mërkuren. Rreth pesëqind vëzhgues të huaj do ta ndjekin procesin e zgjedhjeve.

Partitë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Demokratike Shqiptare e përfunduan fushatën parazgjedhore në të njejtin qytet, në Tetovë. Njëra në sheshin e qytetit tjetra në stadiumin e qytetit. Moti me shi nuk i pengoi përkrahësit e BDI-së dhe PDSH-së madje të ardhur nga qytete e fshatra të Maqedonisë perëndimore të banuara me shqiptarë.

Drejtuesit e partive shqiptare nuk kanë lënë pa përmendur gjatë njëzet ditëve të fushatës çështjen e Kosovës nëpër mitingjet e tyre, duke ditur se me këtë më shumë e tërheqin masën e njerëzve se sa me premtimet e shpeshta për një standard më të mirë ekonomik.

Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim:

“Ne presim që fundi i këtj viti të realizohet ‘de jure’ dhe ‘de facto’ pavarësia e Kosovës. Dhe nuk ka asnjë hezitim se ne shqiptarët përfundimisht kemi mbështetjen e të gjitha forcave progresive ndërkombëtare, andaj këtë mbështetje ne nuk guzojmë assesi ta humbim se për herë të parë aleatët tanë janë dhe kanë një qasje të drejtë ndaj çështjes shqiptare.”

Zoti Ahmeti tha se BDI vazhdon të ketë mbështetjen e popullit duke theksuar më pas projekejet kulturore si ai për ngritjen e shtatores së Skënderbeut në Shkup e ligjet e miratuara për universitetin, simbolet kombëtare.

” Flamuri ynë është këtu i garantuar me ligj; në jetë të jetëve i paprekshëm se është i larë dhe vulosur me amblemën e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare.”

Zoti Ahmeti foli për synimet për integrime evroatlantike dhe për një bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë e Kosovën. Ai bëri thirrje që dita e pesë korrikut, dita e zgjedhjeve, të jetë një ditë feste ndërsa kërkoi që të vlerësohet puna e BDI-së dhe elektorati të votojë njerëzit të cilët bënë epokën, siç u shpreh zoti Ahmeti.

Drejtuesit e partisë Demokratike Shqiptare premtojnë siguri më të madhe për shqiptarët në Maqedoni, luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit të organizuar, ndërsa në mitingun e mbrëmshëm u tha se çështja shqiptare do të kthehet në skenën politike.

Arbër Xhaferi, kryetar i PDSH-së:

”Ne kemi nevojë vetëm që të na lanë rehat që ta zhvillojmë politikën tonë. Poltika jonë u dëshmua se është e vetmja mënyrë që ta rikthejmë forcën tonë.”

Sot është heshtje parazgjedhore. Mjetet e informimit, përfshirë ato që janë të afërta me ndonjë parti politike e kanë respektuar mbrëmë këtë rregull duke mos raportuar pas mesnate lidhur me aktivitetet e partive politike.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 500 përfaqësues të huaj dhe shumë më tepër vëzhgues vendas. Incidentet që ishin pjesë e fushatës në dhjetë ditët e para, kanë munguar në dhjetë ditët e fundit pas agazhimeve të pashoq të ambasadorëve amerikanë, të BE dhe OSBE-së për t’ia prerë rrugën dhunës.

Eshtë vështirë të parashihet se çfarë rrjedhe do të ketë dita e pesë korrikut, por shumë kush pret një proces demokratik e të ndershëm.//ii

XS
SM
MD
LG