Lidhje

Amerika feston Ditën e Pavarësisë


Më 4 korrik në Shtetet e Bashkuara festohet Dita e Pavarësisë, e cila shënon lindjen e këtij vendi 230 vjet më parë.

Në fjalën e mbajtur në një bazë ushtarake në Karolinën e Veriut, në ceremonitë e organizuara me këtë rast, Presidenti Bush u tha ushtarëve amerikanë se guximi i tyre është ai që e bën të mundur çdo Ditë Pavarësie në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti nderoi gjithashtu kujtimin e mbi 2 mijë e 500 trupave amerikane që u vranë gjatë luftës në Irak, dhe tha se trupat u kanë sjellë liri miliona irakianëve dhe afganëve.

Presidenti tha se që pas vrasjes së udhëheqësit të al-Kaidës në Irak muajin e kaluar, trupat kanë kapur mbi 700 luftëtarë të armikut dhe kanë vrarë mbi 60 të tjerë.

Presidenti mbërrin së shpejti në Shtëpinë e Bardhë për të ndjekur festimet tradicionale në kryeqytetin amerikan.

Më 4 Korrik 1776 një ligj kolonial shpalli pavarësinë nga Britania të territorit që sot përbën Shtetet e Bashkuara.

Dokumenti historik i nënshkruar në atë ditë do të lexohet me zë të lartë dhe do të nderohet gjatë ceremonive të sotme. Festimet në Uashington do të mbyllen me një shfaqje madhështore fishekzjarresh.

Përveç rëndësisë historike, vetë fjalët e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë kanë një domethënie të madhe për amerikanët.

Fjalët e 33 vjeçarit Thomas Jefferson, se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe gëzojnë nga Krijuesi disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat atë të jetës, lirisë dhe përpjekjeve për lumturi,” të botuara nga Kongresi Kontinental më 4 Korrik 1776, janë vetëm një shembull i frazave kuptimplote të Deklaratës së Pavarësisë. Profesori i Historisë, Herbert Sloan na kujton se ky dokument nuk ishte as deklaratë lufte, dhe as deklaratë e pavarësisë amerikane nga sundimi britanik:

"Shtetet e Bashkuara kishin vepruar si një vend i pavarur edhe para Pavarësisë. Prej më se 1 viti vazhdonte lufta kundër sundimit britanik. Por më 4 Korrik 1776 u bë një deklaratë zyrtare se nuk do të kishte kthim prapa”.

Që nga ai moment amerikanët e kanë marrë shumë seriozisht lirinë. Megjithatë, historiani Sloan thotë se amerikanët nuk e shohin origjinën e tyre si komb të lidhur me fitoren ushtarake. Në vitin 1776, kur u shpall Pavarësia, duheshin ende 6 vjet para se Britania të pranonte disfatën.

“Në atë kohë John Adams, një prej baballarëve të kombit amerikan, pat thënë se aspekti ushtarak nuk ka rëndësi, dhe se revolucioni i vërtetë ishte ndryshimi që ndodhi në zemrat dhe mendjet e amerikanëve para vitit 1775”.

Megjithë rëndësinë simbolike që kishte 4 Korriku për amerikanët, Kongresi nuk e shpalli atë si festë kombëtare deri në vitin 1870. Ndërkohë, kjo datë ishte shndërruar në një simbol të lirisë në një mënyrë të paparashikuar më parë.

Në shekullin e 19-të, 4 Korriku shfrytëzohej shpesh për mbajtjen e fjalimeve patriotike dhe politike, disa prej të cilave me tone shumë të ashpra. Profesori i Historisë në Universitetin Columbia, Eric Foner, sjell si shembull fjalimin e vitit 1852 nga oratori dhe ish-skllavi zezak Frederick Douglass, të titulluar “Domethënia e 4 Korrikut për Zezakët.”

“Ai theksoi në fjalim se 4 korriku është një festë e të bardhëve. Për zezakët kjo ditë nënkupton hipokrizi. ‘Si mund të flisni për liri kur mbani mbi 3 milion amerikanë skllevër? Çfarë lirie është kjo?’ Vite më pas, edhe sindikatat e punëtorëve shfrytëzuan fraza të Deklaratës në përpjekjet e tyre për të siguruar ditë pune më të shkurtra dhe paga më të larta për punëtorët”.

Megjithatë, studjuesi Robert McDonald e shikon 4 Korrikun si një Ditë Falenderimesh me ton patriotik, e cila shijohet më së miri pa bujë:

“Nuk dua të nënvlerësoj parimet që thekson ky dokument, por mendoj se është më e përshtatshme që amerikanët të mblidhen me familjen dhe miqtë e tyre si dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit për të gëzuar së bashku”.

Profesori McDonland mendon se kjo është mënyra e vërtetë e shfaqjes së lirisë individuale – pra duke festuar jetën.

XS
SM
MD
LG