Lidhje

Sekretarja Rajs: Provat me raketa të Koresë së Veriut janë provokim


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha sot se komuniteti ndërkombëtar ka një numër mënyrash për t’iu përgjigjur qëndrimit provokativ të Koresë së Veriut. Por ajo shtoi se provat me raketa nuk nënkuptojnë se bisedimet gjashtë-palëshe të organizuara nga Kina lidhur me programin bërthamor të Phenianit kanë marrë fund.

Në komentet e saj të para publike lidhur me këtë çështje, Sekretarja e Shtetit Rajs tha se Koreja e Veriut mund të ketë gabuar në llogaritjet e saj se provat me raketa do ta përçanin komunitetin ndërkombëtar. Por ajo tha se në fakt, provat me raketa janë pasuar me kritika nga mbarë bota dhe se ekzistojnë një numër mjetesh diplomatike për t’ia bërë të vështirë Koresë së Veriut të prodhojë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe armë bërthamore.

Seria e provave me raketa ka nxitur konsulta diplomatike intensive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe palëve të tjera në bisedimet e organizuara nga Kina që kanë për synim të bindin Phenianin t’i japë fund programit të tij të armëve bërthamore.

Në komentet e saj në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm turk Abdullah Gul, Zonja Rajs ritheksoi cilësimin që i bënë fillimisht Shtetet e Bashkuara provave me raketa si një provokim. Por ajo e bëri gjithashtu të qartë se Shtetet e Bashkuara ende i konsiderojnë bisedimet gjashtë-palëshe si një mekanizëm me vlerë për zgjidhjen e shqetësimeve lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut:

"Bisedimet gjashtë-palëshe ofrojnë një infrastrukturë diplomatike që mund të shfrytëzohet për të zgjidhur probleme të kësaj natyre. Përsëri, i takon Koresë së Veriut të përdorin këtë infrastrukturë për të zgjidhur këto çështje. Dua të vë në dukje se Chris Hill do të diskutojë së shpejti me homologët e tij nga bisedimet gjashtë-palëshe në rajon. Kjo tregon sa të vlefshme janë bisedimet gjashtë-palëshe, pasi kjo çështje nuk prek më vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Veriut. Tani mbarë rajoni po i thotë Koresë së Veriut se duhet të ndryshojë sjelljen "-tha zonja Rajs.

Zyrtarët në Departamentin e Shtetit thonë se Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore, Kristofer Hill, i dërguari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtë-palëshe, do të niset sonte për një mision diplomatik në Pekin, Seul, Tokio dhe Moskë për të diskutuar implikimet e veprimeve të Koresë së Veriut.

Bisedimet gjashtë-palëshe, të cilat përfshijnë Korenë e Jugut, Rusinë, Japoninë, Shtetet e Bashkuara, Korenë e Veriut dhe Kinën si vend organizator, kanë ngecur që në nëntor, kur Pheniani nuk pranoi të kthehet më në diskutime megjithë arritjen në shtator të një marrëveshjeje bërthamore në vija të përgjithshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, Pheniani tha se ishte dakord në parim të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore si dhe veprimtaritë e lidhura me prodhimin e këtyre armëve në shkëmbim për garanci sigurimi dhe ndihma nga palët e tjera.

Koreja e Veriut ka thënë se nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin sanksionet ekonomike të vendosura vitin e kaluar, si rrjedhojë e akuzave për falsifikim kartmonedhash amerikane dhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme nga Pheniani.

Shtetet e Bashkuara thonë se ndëshkimet nuk kanë lidhje me bisedimet bërthamore, por shtojnë se do ta diskutojnë këtë çështje me Korenë e Veriut nëse Pheniani kthehet në negociata.//lk

XS
SM
MD
LG