Lidhje

Dortmund: Itali-Gjermani 2 me 0 pas një ndeshjeje dramatike


Italia arriti një fitore dramatike 2 me 0 kundër Gjermanisë gjatë kohës shtesë në gjysmëfinalet e Botërorit.

Gjermania nuk kishte humbur asnjëherë në të 14 ndeshjet e luajtuara në Dortmund që prej 71 vjetësh, ndërsa Italia nuk kishte humbur asnjëherë ndaj Gjermanisë në kupën e botës. Ajo kishte patur dy fitore dhe dy barazime.

Dje, Italia ia arriti qëllimit me dy gola në çastet e fundit të kohës shtesë. Traineri italian Marcelo Lippi, tha se ekipi i tij e meritonte fitoren.

"Për mendimin tim ne e kontrolluam ndeshjen. Nuk patëm aq shumë raste për të shënuar por edhe veta ndeshja nuk pati shumë raste. Sidoqoftë jam shumë i kënaqur me përpjekjet e lojratëve të mij sepse në fakt ne luanim njëkohësisht kundër 50-mijë tifozëve gjermanë, të cilët u traguan fantastikë. Ne shënuam dy gola të shkëlqyer të cilët na shpëtuan nga penalltitë dhe ju e dini se penalltitë janë gjithmonë llotari."

Trajneri gjerman, Jyrgen Klinsman tha se ndeshja ishte e vështirë dhe nuk duhej humbur.

"Ne e dinim se do të ishte një ndeshje shumë shumë e vështirë, e ngjashme me atë që patëm me Argjentinën. Ne ishim të përgatitur mirë për 120 minuta dhe të dy ekipet patën rastet e tyre. Italia pati raste të mira. Ata e goditën shtyllën dy herë. Edhe ne patëm raste të mira për të bërë gol që në fillim."

Klinsman tha se krenohej me ekipin e tij gjerman, i cili nuk kishte shpresuar fare të hynte në gjysmëfinale.

"Ekipi meriton vetëm lavdërime. Ky është një ekip shumë i ri dhe luajti shkëlqyeshëm gjatë gjithë turneut por edhe përpara turneut, gjatë përgatitjeve. Ishte e shkëlqyeshme fryma dhe karakteri që ata treguan. Ata vunë në lojë gjithë zemrën, pasionin dhe çdo gjë tjetër që kishin. Mendoj se ata e bënë gjithë vendin tonë të ndihje krenar."

Por gjermanët ende nuk e kanë përfunduar misionin e tyre. Ata do të luajnë për vendin e tretë të shtunën në Shtutgart kundër ekipit që do të humbasë sonte në gjysmëfinalen tjetër midis Francës dhe Portugalisë. Fituesi i ndeshjes së sotme do të takohet të dielën me Italinë në Berlin për titullin e kampionit të botës.//ii

XS
SM
MD
LG