Lidhje

Rumsfeld: dështimi i provave me raketa të Koresë së Veriut nuk e pakëson kërcënimin që përbën Penjani


Sekretari Rumsfeld tha se ishte njoftuar brënda një minute për provën e parë me raketë të Koresë së Veriut. Ai shtoi se mori pjesë në një seri thirrjesh telefonike me komandantë të lartë, përgjigjës për çdo provë me raketë, duke përfshirë edhe provën me raketën me rreze të gjatë veprimi.

“Raketa Toepodong-2 llogaritet të ketë një rreze që mund të kapë Shtetet e Bashkuara. Fakti që prova e saj dështoi është fakt, por nuk ndryshon natyrën e rrezes së saj.”

Pentagoni tha se prova e raketës me rreze të gjatë veprimi e Koresë së Veriut dështoi brënda një minute prej hedhjes. Departamenti i mbrojtjes njoftoi se i diktoi të shtatë raketat koreano-veriore dhe përcaktoi me shpejtësi se ato nuk përbënin kërcënim për Shtetet e Bashkuara apo territorin e tyre. Megjithatë, sekretari Rumsfeld tha se kjo nuk e ndryshon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me programin e raketave të Koresë së Veriut.

“Ne kemi interesa që shkojnë matanë tokës dhe territorit të Shteteve të Bashkuara. Ne jemi në aleancë me Japoninë si dhe me Republikën e Koresë.”

Sekretari Rumsfeld tha se ekspertët amerikanë po vazhdojnë të analizojnë të dhënat e provave me raketa dhe se ai po informohet vazhdimisht, megjithatë ai nuk pranoi të jepte hollësi, përveçse të konfirmonte se prova me raketën koreano-veriore me rreze të gjatë veprimi zgjati vetëm 38 deri në 40 sekonda. Zoti Rumsfeld tha se nuk mendon që Koreja e Veriut do të hidhte një raketë kaq të shtrenjtë dhe ta shkatërronte atë me qëllim pas një kohe kaq të shkurtër.

Më parë, zëdhënësi i Pentagonit Bryan Whitman tha se komanda e mbrojtjes ajrore e Amerikës së Veriut, e njohur si NORAD, ishte në gjendje të vlerësonte thuajse menjëherë rëndësinë e provave të raketave të Koresë së Veriut.

“Secila prej provave u diktua, u mbikqyr dhe interceptorët ishin gati për të vepruar gjatë gjithë kohës së provave. Komandanti i NORAD-it arriti të përcaktonte shumë shpejt se raketat nuk përbënin kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe territorin e tyre.”

Zëdhënësi i Pentagonit nuk tha me saktësi se cilët interceptorë ishin në funksionim. Sistemi i ri amerikan i mbrojtjes nga raketat është pjesërisht i aktivizuar dhe ka pasur rreth 50 përqind sukses gjatë provave. Ky sistem, me bazë në Alaskë dhe në Kaliforni, ka aftësinë që të interceptojë raketa me rreze të gjatë veprimi si Toepodong-2, që u hodh nga Koreja e Veriut. Raketat me rreze më të shkurtër veprimi, që gjithashtu u hodhën nga Koreja e Veriut, do të sulmoheshin, në rast nevoje, nga sisteme me rreze më të shkurtër veprimi me bazë në rajon.

Zoti Whitman tha se departamenti i mbrojtjes ishte gati t’u përgjigjej raketave të Koresë së Veriut në se do të ishte e domosdoshme.

“Ne kemi procedura më se të mirëfillta për t’iu përgjigjur provave me raketa që mund të përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe territorin e tyre. Këto procedura u ndoqën për provat me raketa të Koresë së Veriut.”

Zëdhënësi Whitman me sa duket po i referohej, të paktën pjesërisht, konferencave telefonike, në të cilat mori pjesë edhe sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld.

Zëdhënësi i Pentagonit nuk pranoi të thoshte se çfarë masash ushtarake do të marrin ose do të konsiderojnë të marrin Shtetet e Bashkuara pas provave me 7 raketa nga ana e Koresë së Veriut. Ai tha se ka të ngjarë që vemendja tani të përqëndrohet në përpjekjet diplomatike.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka reaguar ashpër ndaj provave me raketave të Koresë së Veriut. Kina shprehu shqetësim rreth provave, ndërkohë që Rusia thirri ambasadorin koreano-verior për të kërkuar shpjegime rreth këtyre provave. Japonia i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vendosë sanksione kundër Koresë së Veriut, madje ajo paraqiti dje një rezolutë me fjalë të ashpra, e cila u mbështet nga 3 anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Japonia ngriti gjithashtu nivelin e gadishmërisë ushtarake. Koreja e Jugut i bëri thirrje Penjanit që të kthehet në bisedimet për çarmatimin dhe t’i japë fund, atij që e cilësoi, si qëndrim provokues. //ze//

XS
SM
MD
LG