Lidhje

Eliot Engel: Pavarësia e Kosovës u shërben interesave amerikane në rajonin e Ballkanit


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel, demokrat nga New Yorku thotë se Kosova nuk do të qeveriset më kurrë nga Beogradi, dhe sa më shpejt që udhëheqësit serbë t'i tregojnë popullit të tyre të vërtetën, aq më shpejt Serbia do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kosova thekson duhet të jetë shtet i pavarur dhe pavarësia e saj u shërben interesave amerikane pasi shqiptarët janë nga miqtë më besnikë të të Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Kongresmen, kohët e fundit Kryeminsitri i Serbisë, Vojislav Koshtunica bëri një vizitë në Kosovë, pikërisht ditën e betejës së Kosovës, ku tha se Kosova ka qënë dhe do të mbetet e Serbisë. Deklarata të ngjashme bëri në të njejtën datë vite më parë Sllobodan Millosheviçi. Si i vlerësoni ju deklarata të tilla?

Eliot Engel: Mendoj se Koshtunica dhe Tadiçi nuk po tregohen të sinqertë me popullin serb. Kosova nuk do të qeveriset më kurrë nga Beogradi, dhe sa më shpejt që udhëheqësit serbë t’i tregojnë popullit të tyre të vërtetën, aq më shpejt Serbia do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe do të trajtohet si të gjitha vendet e tjera. Udhëheqësit serbë gjithmonë thonë, mos e dënoni vendin tonë për shkak të Millosheviçit. Millosheviçi nuk është më. Unë jam dakord me këtë, por udhëheqja serbe nuk duhet të veprojë si Millosheviçi. Ajo duhet të pranojë realitetin dhe realiteti është se Kosova duhet dhe do të jetë një vend i lirë dhe i pavarur. Nga ana e tyre kosovarët treguan se janë tolerantë, duke mos e ndaluar Koshtunicën të shkonte për vizitë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Administratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen, u largua sëandejmi në një periudhë kritike, kur pritet të përcaktohet statusi i saj përfundimtar. Si e përfytyroni ju Kosovën pas Petersenit?

Eliot Engel: Petersen ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe mendoj se është humbje që ai nuk do të jetë aty për arsye personale. Ai është mik i Kosovës, i lirisë dhe i drejtësisë. Dhe mendoj se ai e kuptonte se e vetmja zgjidhje për Kosovën ishte pavarësia. Dhe kushdo që do ta pasojë atë do ta kuptojë se ne kemi ecur drejt pavarësisë dhe nuk ka më kthim prapa. Puna që bëri zoti Jesen-Petersen dhe trashëgimia e tij do të jenë pavarësia e Kosovës. Ai, zoti Ahtisari dhe përfaqësuesi amerikan Frank Wisner kanë punuar shumë në këtë drejtim. Të gjithë e dinë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës. Të vetmit që nuk e dinë ose nuk duan ta dinë janë udhëheqësit serbë në Beograd. Pavarësia e Kosovës do të jetë diçka e mirë si për shumicën ashtu edhe për pakicën në Kosovë. Natyrisht vendet e shenjta duhet të mbrohen, feja e serbëve duhet të mbrohet, ashtu si për gjithë pakicat. Autoritetet në Kosovë e kuptojnë dhe e respektojnë këtë. Serbët duhet të shohin realitetin dhe jo të ëndërrojnë. Autonomia ishte një mundësi e para 15 vjetëve.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ju keni patur takime me udhëheqësit e Kosovës, si në Prishtinë ashtu edhe në Uashington. Ata janë takuar gjithashtu edhe me udhëheqës të ndryshëm amerikanë. Çfarë peshe kanë këto takime në kudrin e përgjithshëm të zgjidhjes së çështjes së Kosovës?

Eliot Engel: Unë e takova presidentin dhe kryeministrin e Kosovës para disa muajsh në Kosovë. Në Uashington takova vetëm kryeministrin dhe jo presidentin, pasi ai po takohej me njerëz të tjerë. Dhe me sa kam parë nga takimet në Uashington ato kanë qenë shumë të mira. Unë u takova me zotin Çeku këtu në zyrë, dhe takimi ishte shumë i frytshëm. Ai u prit shumë mirë dhe zyrtarëve të lartë amerikanë u kishte lënë përshtypje shumë të mira. Mendoj se takimet në Shtetet e Bashkuara ishin shenjë shumë pozitive. Uashingtoni e ka të qartë se udhëheqja e Kosvës do të respektojë pakicat dhe kjo është e rëndësishme të përsëritet në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të mos shohë probleme tek pavarësia e Kosovës. Prandaj tani serbët duhet të fillojnë të angazhohen, sepse e shohin që komuniteti ndërkombëtar po arrin një farë konsensusi. Do të ishte mirë që kjo të arrihej nëpërmjet negociatave mes udhëheqjes shqiptare dhe asaj serbe, por nëse nuk arrihet dhe nëse serbët refuzojnë ta bëjnë këtë, atëherë vendimi do të imponohet nga jashtë e kjo do të jetë pavarësia e Kosovës dhe mbrojtja e pakicave. Prandaj unë do t’i bëja thirrje udhëheqjes serbe të negociojë në të mirë të njerëzve të saj. Kosova duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe jo pjesërisht. Ajo duhet të ketë vendin në Kombet e Bashkuara, të trajtohet si çdo vend tjetër në botë, të ketë të drejtën të kërkojë kredi në Bankën Botërore, të ketë mundësinë për të marrë investme të huaja. Kjo mund të bëhet vetëm nëse Kosova është plotësisht e pavarur.

Zëri i Amerikës: Para largimit nga Kosova, zoti Petersen tha prerazi dhe qartë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet këtë vit dhe se vonesat nuk sjellin asgjë të mirë, por përkundrazi shtojnë tensionet dhe nuk i shërbejnë askujt? A duhet që Shtetet e Bashkuara të lujanë një rol më aktiv në përshpejtimin e zgjidhjes së statusit?

Eliot Engel: Zoti Jesen-Petersen ma tha edhe mua këtë, se donte që statusi të zgjidhej këtë vit. Një situatë që nuk zgjidhet për një kohë të gjatë krijon probleme. Ne e pamë këtë para pak vitesh kur ndodhën protesta dhe u vranë njerëz. Për ta parandaluar këtë, Kosova duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen aktivisht. Kosovarët i duan amerikanët dhe kanë besim tek ata. Prandaj ne duhet t’u themi kosovarëve se jemi me ju në çdo hap. Unë pres që kosvarët do të jenë ndër miqtë më të mirë të Shteteve të Bashkuara, aleatët më të mirë. Të gjitha anketat tregojnë se shqiptarët i duan amerikanët. Prandaj amerikanët duhet të sigurojnë që Kosova të bëhet e pavarur këtë vit. Është e rëndësishme që ne të angazhohemi. Mendoj se ishte gjë e mirë që kryeministri dhe presidenti i Kosovës erdhën në Uashington dhe u takuan me zyrtarët e lartë si zonja Rice, sepse zyrtarët amerikanë duhet të ndjehen të sigurt me idenë e Kosovës së pavarur. Dhe kur ata takohen me udhëheqjen e Kosovës ata e fitojnë këtë siguri, dhe prandaj mendoj se këto takime janë shumë të rëndësishme. Personalisht, mezi pres ditën që Kosova të jetë e pavarur dhe unë do të shkoj vetë në Prishtinë ditën që Kosova të marrë pavarësinë dhe do të festoj së bashku me të gjithë të tjerët.

XS
SM
MD
LG