Lidhje

BDI shqyrton mundësinë e koalicionit pas zgjedhjeve në Maqedoni


Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se si parti që fitoi besimin më të madh të shqiptarëve duhet të hyjë në koalicionin qeveritar. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti tha sot se qeveria e re duhet të jetë e qëndrushme, të zbatojë reformat dhe ligjet e Marrëveshjes së Ohrit. Ai tha se po shqyrton programin e partisë VMRO-DPMNE e cila ua ka paraqitur si kusht për ta pranuar, partive politike të interesuara për të hyrë në koalicion e ri qeveritar.

Kryetari i Bashkimit Demorkatik për Integrim Ali Ahmeti tha në një konferencë shtypi në Tetovë se partia e tij është përfaqësuese legjitime e popullit shqiptar në Maqedoni dhe se qeveria e re do të duhej të kishte legjitimitetin dhe mandatin e votuesve për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre.

Kryetari i BDI-së Ahmeti tha se qeveria e re para së gjithash duhet të jetë e qëndrueshme dhe të garantojë vazhdimësinë e fillimit të procesit të reformave në vend, drejt të integrimit në BE dhe në Nato. “Qeveria e re duhet të jetë e aftë dhe e guximshme që të luftojë korrupsionin dhe kriminalitetin e organizuar si parakushte për një shoqëri funksionale demokratike”.

Zoti Ahmeti tha se nuk ka pasur takime me kryetarin e VMRO-së Nikolla Gruevski, por se koalicioni BDI-PPD po analizon përcaktimet programore të VMRO-DPMNE-së. Kjo e fundit u ka parashtruar kushte partive shqiptare se duhet ta pranojnë manifestin ekonomik të saj dhe se çështjet ekonomike do të jenë me përparësi në qeverinë e re dhe jo ato ndëretnike. BDI thotë se gjatë periudhës në pushtet ka dhënë garanci për qëndrueshmërinë dhe reformat në sistemin politik dhe ekonomik të vendit.

Partia shqiptare thekson se gjatë formimit të koalicionit qeveritar nuk duhet të ketë trysni nga mjetet e informimit apo nga opinioni publik. VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nesër do të ketë një takim të një niveli më të ulët me zyrtarë të BDI-së. Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pranuar dyzet e shtatë ankesa nga partitë politike lidhur me parregullsi në ditën e zgjedhjeve. Më së shumti ankesa ka bërë Partia Demokratike Shqiptare – 23. Partia VMRO-DPMNE 12, Bashkimi Demokratik për Integrim 9 ndërsa Lidhja Social Demokrate dhe një parti e vogël Partia për Ripërtëritjen Demokratike të Maqedonisë nga një ankesë.

Afati i dorëzimit të ankesave ka përfunduar mbrëmë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka në dispozicion dyzetetetë orë, nga momenti kur e ka mbyllur afatin e pranimit, që t’i shqyrtojë dhe të vendosë mbi këto ankesa. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e KSHZ atëherë ato kanë edhe nga dyzetetetë orë të tjera të ankohen nëpër instanca më të larta gjyqësore deri te Gjykata e Lartë, vendimi i së cilës do të jetë final.

Ankesat për parregullsitë gjatë votimit në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me cënimin e votimit të fshehtë, votimin në emër të tjerëve, mbushjen e paligjshme të kutive të votimit. Sidoqoftë, vështirë pritet të ketë ndonjë ndryshim drastik të vendeve në Parlament edhe nëse ka rivotim në ndonjë qendër votimi. Aktualisht VMRO-DPMNE ka 44 deputetë, LSD 32, BDI 18, PDSH 11 deputetë. //rd//

XS
SM
MD
LG