Lidhje

Emblema e Kupës së Botërorit 2010


E mblema zyrtare e kampionatit Botëror të Futbollit 2010 në Afrikën e Jugut u paraqit dje në Berlin, dy ditë para finales së Kampionatit të këtij viti. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan ishte mes autoriteteve që morën pjesë në ceremoni.

Stema ka fjalët Afrika e Jugut 2010 poshtë një siluete abstrakte të një futbollisti që po bën një goditje gërshërë. Në këndin e poshtëm djathtas shkruhen fjalët FIFA Kupa e Botës.

Në emblemë janë ngjyrat e flamurit të Afrikës Jugore: bluja, e gjelbra, e kuqja, e verdha, e zeza dhe e bardha. Presidenti afrikano-jugor Thabo Mbeki tha se fakti që në vendin e tij do të mbahet ngjarja më e rëndësishme e futbollit sjell një rreze shprese dhe do të prekë botën dhe do të ndërtonin një të ardhme më të mirë: “Ne vijmë nga një vend ku futbolli nuk është thjesht një lojë por një pasion i përhershëm. Afrika është gati. Koha e Afrikës ka ardhur. Afrika po thërret. Ejani në Afrikë në vitin 2010”, tha zoti Mbeki.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan tha se futbolli është ndoshta më universal se Kombet e Bashkuara, pasi FIFA ka më shumë vende anëtare (207), sesa OKB-ja që ka 192: “Kampionati Botëror i Futbollit është një ngjarje që pasqyron përfitimet e shkëmbimeve mes njerëzve dhe vendeve. Gjithnjë e më shumë ekipe kombëtare kanë trajnerë nga vende të tjera. Gjithnjë e më shumë lojtarë përfaqësojnë klube profesionale jashtë vendeve të tyre kur nuk janë në kampionat. Të gjithë ata sjellin mënyra të reja mendimi dhe loje. Në këto kushte gjithkush është i fituar”.

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter tha se futbolli duke qenë aq popullor duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë sociale në zhvillimin njerëzor dhe prandaj është shumë e rëndësishme që Afrika e Jugut po organizon kampionatin e ardhshëm botëror: “Ju meritoni solidaritetin e shoqërisë shumë kulturore, integritetin, demokracinë dhe miqësinë. Dhe këto do t’i keni për Kampionatin Botëror të Futbollit 2010. Mesazhet që ju do t’i jepni botës do të jenë mesazhet tona, mesazhe që do të jepen përmes futbollit. Dhe me Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut ne mund ta bëjmë botën një vend më të mirë, për të pasur një botë më të mirë”.

Blatter që kishte bërë përpjekje të mëdha për Kampionatin e parë Botëror të Futbollit në Afrikë tha se Afrika e Jugut do të jetë gati të organizojë ngjarjen e madhe pas katër vjetësh. //rd//

XS
SM
MD
LG